Përjashtohet Albin Kurti nga kandidimi në zgjedhje, KQZ: I dënuar tre vitet e fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk është lejuar për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e 14 shkurtit. Rrjedhimisht, ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së, kanë bërë të ditur burime brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kurti ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Me këto vepra përshkruheshin veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, si pasojë e të cilave, liderit të LVV-së i është pamundësuar kandidimi në listë zgjedhore.
47 kandidatë që janë pjesë e listave zgjedhore janë shpallur fajtor në tri vitet e fundit. Në përputhje me Kushtetutën e vendit ata nuk janë të lejuar të kandidojnë dhe partitë do të detyrohen ti zëvëndësojnë ata.
“Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, tha Elezi.
Elezi ka treguar se 15 nga 28 subjekte kanë kandidatë që kanë probleme me ligjin. Për emrin e këtyre kandidatëve, Elezi ka thënë se u mbetet partive që t’i bëjnë publik emra. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj në çështjen Etem Arifi, ka konstatur se kush është i dënuar në tri vitet e fundit me vendim të plotfuqishëm, s’ka të drejtë të kandidoje.
ndërkohë ish-ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook ka reaguar lidhur me përjashtimin e Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes së Vetëvendosjes nga gara për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Në shtetin e kapur, kështu ndodhë! Këto janë përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin dhe atyre që i shërbyen shtetit të kapur!”, shkruan Haxhiu në postim.