Në fjalën e lamtumirës, Presidenti Trump uron administratën e re
Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim lamtumire të bërë publik të martën, bëri thirrje për lutje për administratën e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, por nuk e përmendi emrin e pasardhësit të tij demokrat.
“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë”, tha presidenti republikan në video-mesazhin e tij. “Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme.”
Presidenti Trump nuk e ka pranuar kurrë plotësisht humbjen ndaj demokratit Biden, i cili fitoi zgjedhjet e 3 nëntorit me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 votave të zotit Trump. Presidenti në largim nuk do të takohet me zotin Biden para inaugurimit të demokratit në mesditën e së mërkures. Në vend të takimit me zotin Biden, Donald Trump ka planifikuar udhëtimin për në Florida, ku ai pritet të banojë pas mbarimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Rreziku më i madh me të cilin përballemi është humbja e besimit në veten tonë, humbja e besimit në madhështinë e vendit tonë”, tha Presidenti Trump. “Amerika nuk është një vend i ndrojtur i shpirtrave të dobët që duhet të ruhen dhe të mbrohen nga ata me të cilët ne nuk jemi dakord”.
Presidenti Trump është ngujuar në Shtëpinë e Bardhë në javët e fundit të mandatit të tij, i zemëruar pas protestës së dhunshme nga mbështetësit e tij në Kapitol që la pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit.
Dhuna, e cila pasoi një tubim në të cilin Presidenti Trump përsëriti akuzat e rreme për manipulim të zgjedhjeve, ka lënë në hije çdo përpjekje për të nënvizuar trashëgiminë e presidentit në ditët e tij të fundit në detyrë.
Në fjalimin e regjistruar më parë, Presidenti Trump u përpoq të nxirrte në pah aspektet e presidencës së tij me të cilat ai ishte krenar.
“Ne bëmë atë për të cilën erdhëm këtu, dhe shumë më tepër”, tha ai. “Unë zgjodha betejat e vështira, çështjet më të vështira, zgjedhjet më të vështira, sepse ju më zgjodhët për ta bërë këtë”.
Presidenti Trump vuri në dukje marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme, të ndërmjetësuara nga administrata e tij dhe lavdëroi axhendën e tij të politikës së jashtme.
“Ne ringjallëm aleancat tona dhe bashkuam kombet e botës për t’i bërë ballë Kinës si kurrë më parë,” tha ai. “Unë jam veçanërisht krenar që jam presidenti i parë në dekada që nuk ka filluar asnjë luftë të re.”
Presidenti Trump, i cili largohet mes përçarjeve të thella në vend, përmendi protestën e dhunshme në Kapitol, të cilën ai nuk e dënoi menjëherë pasi ndodhi më 6 janar.
“Të gjithë amerikanët u tmerruan nga sulmi ndaj Kapitolit tonë. Dhuna politike është një sulm ndaj gjithçkaje që ne si amerikanë e vlerësojmë. Nuk mund ta tolerojmë kurrë (dhunën)”, tha ai.
Dhe presidenti, ish-këshilltarët e të cilit parashikojnë se ka dëmtuar të ardhmen politike pas trazirave, sugjeroi se lëvizja e tij do të vazhdonte. “Tani, ndërsa jam duke u përgatitur t’ia dorëzoj pushtetin një administrate të re në mesditën e së mërkurës, dua që ju ta dini se lëvizja që kemi filluar vetëm sa ka filluar”, tha zoti Trump.
“Unë largohem nga ky vend madhështor me një zemër besnike, të gëzueshme, një frymë optimiste dhe një besim të fortë se për vendin tonë dhe për fëmijët tanë, do të vijnë ditë më të mira.”/VOA
Fraksion.com