Joe Biden – një president me dhembshuri dhe frymë ekipi
Joe Biden është presidenti i SHBA, sepse amerikanët kanë besim, që ai i merr me seriozitet shqetësimet e tyre. Shpresa e tyre është, që ai ta drejtojë SHBA-në për të dalë nga kriza ekonomike dhe kulturore. Një portret.
Joe Biden qysh në fillim të pandemisë së koronavirusit shumë herë u është drejtuar publikisht njerëzve në SHBA dhe shpesh ka shpenzuar kohë duke shprehur dhembshurinë e tij. Në SHBA ndërkohë kanë vdekur prej sëmundjes nga koronavirusi mbi 225.000 vetë.
Në fund të tetorit Biden mbajti një fjalim për krizën e koronavirusit në qytetin e tij Wilmington në shtetin e SHBA-së, Delaware duke thënë: “Me mendje jam tek ata, të cilëve u duhet të përballojnë vuajtjen e ndarjes nga një person i dashur përmes videochat-it. Unë ndiej bashkë me ata, që nuk kanë mundur të mbledhin shokët rreth vetes, e as familja nuk ka mundur të mblidhet në meshën e përmortshme apo në ceremoninë e varrimit.”
Gjatë fushatës elektorale për postin e presidentit Biden përhapi një mesazh, me të cilin ai shprehte pikërisht të kundërtën e asaj që përfaqësonte presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Trump u sëmur vet prej COVID-19 dhe në një konferencë shtypi pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë tha, se askush nuk duhet të lejojë „ta verë sëmundja përfund” dhe se askush nuk duhet të ketë frikë prej saj.
Joe Biden në të kundërt i inkurajon vazhdimisht njerëzit, që të mbajnë maskën, të ruajnë distancën dhe ta vlerësojnë me seriozitet rrezikun. Përveç kësaj ai nuk stepet duke e ndarë dhimbjen me të tjerët. Biden, e di se çfarë do të thotë të varrosësh bashkëshorten dhe një fëmijë. Ai për këtë arsye dy herë pothuajse ka qenë në prag të mbylljes së karrierës politike.
Hera e parë ka qenë dimrin e vitit 1972. Ai ishte vetëm 29 vjeç dhe pati vendosur të sfidojë republikanin J. Caleb Boggs, i cili kishte mandatin prej dymbëdhjetë vjetësh në senatin e SHBA-së për shtetin federal Delaware. Ndonëse buxheti i tij për fushatën elektorale ishte minimal dhe iu desh ta ndihmonin pjestarët e familjes në fushatë, Biden në nëntor e fitoi garën. Pak javë pas kësaj ndodhi tragjedia, që e ndryshoi atë përgjithmonë: Gruaja e tij Neilia dhe vajza e tyre një vjeçe Naomi humbën jetën në një aksident, djemtë Beau dhe Hunter u plagosën rëndë.
Pas kësaj në fakt Biden donte të tërhiqej nga posti, por megjithatë arritën ta bindin që të qendrojë. Betimin për detyrën ai e bëri në spitalin, ku ndodhej njëri prej djemve. Si senator i ri ai udhëtonte me tren mes Wilmington dhe Uashington D.C. Motra e tij i erdhi në ndihmë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët. Ajo qendroi deri më 1977, kur Biden u martua me gruan që është edhe sot bashkëshortja e tij, Jill Jacobs, me të cilën ka një vajzë, Ashley.
Sistemi i shëndetësisë – një përkushtim personal
Dekada më vonë fati do ta godiste atë sërish. Më 2015 Biden ishte zëvendëspresident dhe asokohe nën presidentin Barack Obama ai punoi për ligjin Affordable Care Act, ligj ky që garantonte sigurimin shëndetësor për miliona familje me të ardhura të pakta. Ndërsa Biden përpiqej të garantonte sigurimin shëndetësor bazë për njerëzit, ndërroi jetë djali i tij më i madh Beau, i sëmurë nga kanceri në tru. Joe Biden, i cili donte të kandidonte për zgjedhjet presidenciale më 2016, vendosi të tërhiqet për të qenë pranë familjes.
Pak ditë përpara fundit të mandatit si zëvendëspresident Obama e vlerësoi Biden me Medaljen presidenciale të Lirisë. “Të njohësh Joe Biden do të thotë të njohësh dashurinë e sinqertë, shërbimin me vetëmohim dhe plot jetë”, tha Obama asokohe.
Koha kërkon një “Slow Joe”
Fakti që demokratët në fund zgjodhën si kandidat të tyre për president Joe Biden dhe jo një më të ri apo jo-të bardhë, nuk ishte i papritur, thotë Mitchell S. McKinney, profesor në Universitetin e Missourit, studimet e të cilit fokusohen tek debatet presidenciale dhe retorika: „Ishte thjeshtë koha e duhur për të. Ishte konteksti me të cilin ne si komb po përballemi aktualisht.”
McKinney sheh tek Biden „politikanin e arsyeshëm dhe të qendreushëm, ngushëllues dhe me dhembshuri”, pikërisht antipodi i Trump, i cili kundërshtatin e tij e cilësoi si “Slow Joe”, Joe i ngadalshëm. Fitorja e Biden ishte një „sinjal i qartë, se për çfarë udhëheqje ka nevojë ndërkohë kombi”, thotë McKinney. “Ne kemi realizuar një lëvizje 180 të pendulit nga ky president i pazakontë jopresidencial, tek një president, që mishëron thelbin e Uashingtonit.”
Biden njihet si një njeri që mund të bashkëpunojë mirë me kolegët, edhe kur ata mendojnë ndryshe. „Ai është një njeri i kongresit, ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e tij dhe e kuptohet me të gjithë”, thotë politologu Bruce Buchanan për DW. „Eshtë e vështirë të gjesh ndokënd në D.C, që nuk e preferon Joe Biden. Thonë madje për të, se ka bashkëpunuar mirë për shumë vite me republikanët, nuk është ideolog dhe është një burrë shumë simpatik dhe miqësor”, thotë Buchanan, profesor i doktrinës qeveritare në Universitetin e Teksasit në Austin.
Madje edhe disa senatorë republikanë qysh përpara zgjedhjeve patën sinjalizuar, se janë të hapur për bashkëpunim me Biden, nëse bëhet president.
Idetë progresive mund të mbeten në mes të rrugës
Tani Biden është president. Për shumë tema atij do t’i duhet të bëjë kompromise me republikanët – pjesërisht edhe përkundër ideve të demokratëve progresistë.
Një shembull është “Green New Deal”, që e kanë propozuar deputetët demokratë. Biden asnjëherë nuk e ka përmendur zyrtarisht me emër këtë projekt, por planet e tij për përballimin e krizës së klimës janë shhumë të ngjashme me të.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka qenë bashkë-sponsorizuese e kësaj pakete ligjore, që kërkon nga Kongresi të punojë dhjetë vitet e ardhëshme, që ekonomia e SHBA-së të emetojë më pak gazra të efektit serë dhe njëkohësisht të mbështesë rikualifikimin e punonjësve si dhe një drejtësi sociale e ekologjike.
Analisti politik Buchanan beson, se nëse Biden “insiston fort për temën e ndryshimit të klimës dhe aktivizmin për mjedisin, ai do të hasë në rezistencë”. Por nga ana tjetër politologu thekson, se Biden është një „politikan pragmatik”.
Fraksion.com