AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Shqipëria ka nevojë për një plan të qartë për vaksinimin

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se qytetarët duhet të informohen për vaksinën, pasi siç u shpreh ai, transparenca është thelbësore në demokraci.

“Është e rëndësishme të ketë siguri të plotë për vaksinën, për të gjithë elementët, që kanë të bëjnë me pasojat e mundshme mbi shëndetin e qytetarëve. Kjo është detyra e qeverisë dhe e autoriteteve përgjegjëse”, u shpreh Presidenti Meta gjatë një interviste në medie.

Meta po ashtu u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një plan të qartë për vaksinimin e popullsisë dhe duhet ta kishte prej kohësh.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë hapat t’i shërbejnë një strategjie të qartë të përballimit sa më efektiv të COVID-19”, deklaroi Meta.

Lidhur me faktin se Shqipëria siguroi 975 doza vaksinash për personelin mjekësor në vijën e parë të luftës me COVID-19, më herët se ç’ishte parashikuar, Meta u shpreh se çdo mbërritje e vaksinave është pozitive.

Meta foli edhe për zgjedhjet e 25 prillit, duke thënë se “vendi ka nevojë për një përmbysje, në kuptimin më të mirë të fjalës. Unë, e them shpesh koha e ndryshimit ka ikur që prej katër vitesh”.

“Këto katër vite, që kemi kaluar kanë folur për një përkeqësim të rëndë të situatës, në funksionimin e shtetit të së drejtës”, tha Meta.

 

Fraksion.com