Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë praninë ushtarake në Irak
Sekretari amerikan i Mbrojtjes në detyrë Christopher Miller, tha të premten se Shtetet e Bashkuara kanë shkurtuar trupat në Irak në 2’500, duke përmbushur një objektiv të vendosur nga administrata Trump në fund të vitit të kaluar.
“Ulja e nivelit të forcave amerikane në Irak reflekton aftësitë e rritura të Forcave të Sigurisë Irakiane, tha zoti Miller në një deklaratë pesë ditë përpara se Presidenti Trump të largohet nga zyra, duke i hapur kështu rrugën administratës së ardhshme të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
“Ne kemi parashikuar prej kohësh që niveli i forcave që kërkohet për të mbështetur luftën e Irakut kundër ISIS-it do të ulet, ndërkohë që përmirësohet aftësia e Irakut për të menaxhuar kërcënimin nga ISIS-i. Aftësia për të zvogëluar nivelin e forcave është dëshmi e përparimit të vërtetë”, shtoi zoti Miller, duke përdorur një akronim për grupin terrorist Shteti Islamik.
Sekretari në detyrë i mbrojtjes tha se zvogëlimi i trupave në Irak nuk përfaqëson një ndryshim në politikën amerikane dhe është në përputhje me planet për të zvogëluar përfshirjen e trupave amerikane në operacione të mëdha luftarake në këtë vend të Lindjes së Mesme.
“Shtetet e Bashkuara dhe forcat e koalicionit mbeten në Irak për të siguruar mposhtjen e përhershme të ISIS-it”, tha ai. “Qeveria e Irakut dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara bien dakord që ISIS-i mbetet një kërcënim dhe se prania e Shtetet e Bashkuara dhe Koalicionit mbetet jetësore”.
Sekretari në detyrë tha se Shtetet e Bashkuara do të ruajnë “një platformë kundër terrorizmit në Irak për të mbështetur forcat partnere me fuqi ajrore dhe të dhëna zbulimi”.
Sipas statistikave të Pentagonit, më shumë se 4’500 trupa amerikane janë vrarë në Irak që kur një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pushtoi Irakun në vitin 2003 dhe rrëzoi qeverinë e Saddam Hussein-it, ndërsa më shumë se 32’000 janë plagosur.
Zoti Miller njoftoi gjithashtu të premten se ushtria amerikane përmbushi objektivin e saj për të shkurtuar më shumë se 2’500 trupa nga Afganistani, pavarësisht miratimit nga kongresi të një projekt-ligji dy javë më parë që ndalon shpenzimet federale për të ulur numrin e trupave nën 4’000.
Fraksion.com