Parandalimi i përmbytjeve/ Ekonomi: Investimet janë rritur me më shumë se 80% krahasimisht në vitet 2005-2012 dhe 2013-2020
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi deklaroi sot në një konferencën për shtyp me fokus tek përmbytjet se, koordinimi, investimet dhe decentralizimi kanë qenë kyçe në përballimin e situatës.
“Koordinimi ishte një element kyç sepse kalimi i informacionit nga një ent tek një një ent tjetër dhe ndërhyrja e bashkërenduar ishte çelësi i suksesit”, tha ajo.
“Investimet kanë qenë investime, jo vetëm të shtuara në vlerë, por kanë qenë dhe investime të zgjuara sepse janë drejtuar atje ku kanë qenë nevojat më të mëdha”, theksoi Ekonomi.
“Decentralizimi ishte gjithashtu një çelës i suksesit sepse i vuri bashkitë përpara përgjegjësisë për të mirëmbajtur atë ç’ka iu delegua atyre në vitin 2016”, u shpreh Ekonomi.
Ajo nënvizoi se, “po të hedhim një sy tek gjithë sasia e pronave që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në mbështetje të programit të ujitjes, kullimit dhe veprave të mbrojtjes nga përmbytja, ato lidhen me diga dhe në territorin e vendit ne kemi 630 diga. Ato lidhen me kanalet kulluese dhe në territorin e vendit ne kemi rreth 24 mijë kilometra kanale kulluese. Lidhen me kanalet ujitëse që ne kemi 15700 të tilla. Lidhen me kilometrat në argjinatura që janë rreth 850 kilometra në argjinaturë. Lidhen me hidrovoret që ne kemi 29. Lidhen me kanalet e ujërave të larta që janë rreth 300 kilometra që duhen mirëmbajtur. Dhe për t’i mirëmbajtur këto natyrisht që na duhen investime, na duhen para”.
Ekonomi u shpreh se “po të bëjmë një krahasim midis vitit 2005-2012 dhe 2013-2020, investimet janë rritur me më shumë se 80%. Nga 16.4 miliardë lekë janë shpenzuar 29.8 miliardë lekë. Por si janë shpenzuar dhe pse patëm këtë ngjarje të mirëmenaxhuar të situatës së reshjeve të larta?”.
Ekonomi tha se, “në fakt ajo që ka ndodhur është që është dyfishuar rehabilitimi i kanaleve ujitëse, gjë që e ka bërë fermerin shqiptar që të ketë më shumë tokë me ujë dhe të shtojë të gjithë produktin e vetë bujqësor. Por nga ana tjetër, duke shtuar produktin bujqësor, sepse ai ka një sipërfaqe të ujitshme, atij i duhet të ketë dhe një sipërfaqe, e cila e kullon ujin kur ka sasi të mëdha reshjesh. Për këtë arsye dhe sipërfaqja kulluese që është vënë në dispozicion është rritur për fermerin shqiptar duke shkuar në rreth 270 mijë hektarë”.
Ekonomi shtoi se, “janë rehabilituar plotësisht 40 diga dhe rehabilitimi i digave nuk është një gjë e lehtë sepse rehabilitimi i digave përveç se rehabiliton sasinë e ujit të mbledhur, duhet të bëjë shumë kujdes në rehabilitimin e poshtëm të digave që mos lejojë përmbytje”.
“Janë përmirësuar 104 kilometra argjinaturë që janë ndërtuar në këto vite duke pasur parasysh që ka zona që kanë qenë me vështirësi të mëdha dhe kanë lejuar daljen e ujit nga shtrati i zakonshëm i lumenjve apo i kanaleve. Dhe kryesisht në zonat që kanë qenë problematike siç është ajo e Shkodrës, në lumin Drin, siç është lumi Buna, apo siç janë të tjera zona që lidhen me Shqipërinë e Mesme dhe në Shqipërinë e Jugut”, theksoi Ekonomi.
Ajo shtoi se, “gjithashtu janë rehabilituar hidrovoret”.
“Janë 7 hidrovore të rehabilituara plotësisht dhe për të tjerat po bëhet një rikonstruktim i njëpasnjëshëm. Por të mos harrojmë se në hidrovore kemi 2 hidrovore që lidhen me zonën që u prek nga tërmeti, siç është hidrovori i Hamallajt dhe hidrovori i Shllinzës në Kurbin, të cilët u dëmtuan. Dhe falë programeve të rindërtimit dhe emergjencës që kanë këto vepra publike, rehabilitimi i tyre ka qenë i plotë. Që kështu në këto ditë të gjithë hidrovoret në territorin e vendit kanë funksionuar në mënyrë perfekte”.
Por, shtoi Ekonomi, “nuk mjafton vetëm gatishmëria e hidrovoreve. Në funksionimin e pompave që tërheqin ujin në hidrovore ka shumë rëndësi energjia elektrike dhe unë dua të përfitoj nga ky rast të falënderoj OSHEE-në, e cila ka qenë në krye të detyrës dhe energjia elektrike, nuk ka munguar në asnjë prej hidrovoreve. Ato kanë bërë të mundur çlirimin e ujit nga zonat ku kishte prezencë të lartë uji dhe gjithashtu të sigurojnë edhe që niveli i ujit të jetë gjithmonë në mbikëqyrje”.
Por, theksoi ministrja e Bujqësisë, edhe drejtoritë rajonale të ujitjes dhe kullimit megjithë stafet e tyre kanë qenë në çdo moment duke monitoruar nivelin e ujit, sepse niveli i ujit ishte shumë i rëndëishëm në çdo moment për përballimin e situatës.
Ekonomi tha se, “sot mund të themi me zërin plot që ne kemi zero dëmtime në rrjetin e kanaleve kulluese, kemi largim të shpejtë të reshjeve në kanalet e ujërave të larta dhe kemi zero argjinatura të dëmtuara”.
Ajo shtoi se, “në momentin e pikut sipërfaqja bujqësore, e cila ishte e përmbytur, ishte 8342. Ndërsa mbrëmë, në reagimin e fundit që unë kam marrë nga drejtoritë rajonale të kullimit dhe ujitjes, sipërfaqja e tokës bujqësore aktualisht nën ujë është 3340 hektarë dhe pritet që kjo sipërfaqe të lirohet me largimin e ujit”.
Ekonomi shtoi se, “në vitin 2021 padyshim që mendohet për të vazhduar investimet, sepse në kanalet ujitëse dhe kulluese, në përmirësimin e digave apo hidrovoreve padyshim që ka nevojë për investime. Dhe në buxhetin e shtetit këtë vit ne kemi përsëri planifikuar një fond i cili shkon rreth 3.9 miliardë lekë për të ndërhyrë në ato pika që kanë nevojë emergjente dhe për të qenë në ballë të përballimit të çdo situate që mund të vijë në çdo të ardhme”.
Fraksion.com