AktualitetBota+Të fundit

FBI po vëzhgon bisedat në internet për protesta të mundshme të dhunshme

FBI po ndjek një “numër të madh të komunikimeve shqetësuese në internet”, duke përfshirë thirrjet për protesta të armatosura deri në ditën e inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur Joe Biden, javën e e ardhshme, tha të enjten Drejtori FBI-së, Chris Wray.

Zoti Wray, në paraqitjen e tij të parë publike që prej trazirave të 6 janarit në Kapitol, tha në një konferencë të përbashkët shtypi me Nënpresidentin Mike Pence për sigurinë se FBI mbetet e shqetësuar për potencialin për dhunë në protesta dhe tubime në Uashington dhe në kryeqytetet e shteteve në të gjithë vendin.

Këto ngjarje mund të sjellin individë të armatosur pranë ndërtesave qeveritare dhe zyrtarëve të zgjedhur, paralajmëroi Wray, ndërsa vuri në dukje gjithashtu se “Një nga sfidat reale në këtë hapësirë është përpjekja për të dalluar atë që është paqësor kundrejt atyre që synojnë dhunë të qëllimshme.”

Zoti Wray tha se FBI-ja po merrte një sasi “të konsiderueshme” informacioni që po ua dërgonte agjencive të tjera të zbatimit të ligjit përpara ditës së inaugurimit. Ndarja e informacionit është kritike para çdo ngjarje të rëndësishme publike si ajo e inaugurimit të presidentit, por kjo çështje po tërheq vëmendje të veçantë për shkak të shenjave se forcat e zbatimit të ligjit ishin të papërgatitura për protestën e dhunshme dhe vdekjeprurëse në Kapitol nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.

Zyrtarët federalë kanë paralajmëruar agjencitë lokale të zbatimit të ligjit se trazirat në Kapitol ka të ngjarë të frymëzojnë të tjerët me qëllime të dhunshme.

“Ne po vëzhgojmë individë që mund të kenë si qëllim përsëritjen e të njëjtit lloj dhune që pamë javën e kaluar”, tha zoti Wray, duke shtuar se që nga 6 janari, FBI-ja ka identifikuar mbi 200 persona të dyshuar për përfshirje në akte të dhunshme. “Ne e dimë se kush jeni. Nëse jeni përfshirë në akte dhune, një agjent i FBI-së do t’ju gjejë”, shtoi ai.

Më shumë se 100 njerëz janë arrestuar deri më tani, tha drejtori i FBI-së, dhe një numër i madh tjetër hetimesh është në proces e sipër.

Shtetet në të gjithë vendin tashmë kanë shtuar masat e sigurisë në përgatitje të protestave dhe dhunës së mundshme të armatosur këtë fundjavë, veçanërisht në ndërtesat legjislative ku pritet të mbahen seanca dhe ceremoni përuruese. Zyrtarët po rishqyrtojnë planet e tyre të sigurisë për t’u përgatitur më mirë për rreziqet e lartë dhe policia në qytetet e mëdha të vendit po përgatitet të vihet në gatishmëri taktike nëse është e nevojshme. Një raport i FBI-së në fillim të kësaj jave paralajmëroi për protesta të mundshme të armatosura në të 50 shtetet.

Për të monitoruar kërcënimet, për të ndarë informacionet dhe për të vendosur se si të dislokohen burimet, FBI-ja gjatë ceremonisë së inaugurimit do të veprojë një qendër të drejtimit të operacioneve gjatë tërë ditës në selinë qendrore dhe në secilën nga 56 zyrat e saj në terren, tha zoti Wray.

“Pozicionimi ynë është agresiv dhe do të qëndrojë në këtë mënyrë gjatë gjithë ceremonisë së inaugurimit (të Presidentit)”, tha ai.

Nënpresidenti Pence u kthye në Kapitol të enjten për herë të parë që kur protesta e dhunshme detyroi personelin e tij të sigurisë që ta dërgonte atë në një vend të sigurt pasi protestuesit ndërprenë punën e tij të mbikqyrjes së procesit të numrimit të votave të Kolegjit Zgjedhor në Kongres.

Nënpresidenti Pence vizitoi trupat e Gardës Kombëtare të dislokuara jashtë Kapitolit, duke u thënë atyre se ai e kupton mirë rolin e Gardës Kombëtara sepse para se të merrte postin e Nënpresidentit ai ishte guvernator i shtetit të Indianës.

“Faleminderit për vendimin tuaj për t’i shërbyer vendit tonë”, tha Nënpresidenti Pence. Ai u tha trupave të Gardës Kombëtare se do të jenë dëshmitarë të transferimit të pushtetit dhe i falënderoi ata për punën e tyre.

 

Fraksion.com