AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Edhe sot qindra, mijëra banorë janë nën ujë me mungesë ushqimesh e medikamentesh

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot në një prononcim për gazetarët se, mijëra familje janë nën ujë, pa furnizime ushqimore e medikamente.

“Edhe sot që flasim qindra, mijëra banorë, mijëra familje janë nën ujë. Shtëpitë e tyre janë në prani të ujit, janë të rrethuara nga uji, janë me mungesa të mëdha të ujit të pijshëm, të ushqimeve, medikamenteve. Vuajnë për aksesin për të dalë nga shtëpitë apo të çuar të sëmurët në spital.  Janë pa medikamente dhe nuk po flas vetëm për zonën e Shkodrës por po flas edhe për zonat rreth e qark Tiranës, Durrësit dhe të gjithë ultësirën Perëndimore”, tha Basha.

Basha theksoi se, “kjo është e vetmja qeveri në botë që fatkeqësinë e shikon si mundësi për propagandë. Ulen dy orë dhe njeriu që ka 8 vjet kryeministër, 8 vjet përgjegjës për këtë vend, na tregon historikun e rreshjeve në 20 vitet e fundit”.

“Në fakt”, shtoi Basha, “gënjen se e di e gjithë Shkodra që ka ditë që nuk bie shi dhe përmbytja ka ardhur nga kaskada. Njerëzit janë nën ujë dhe ky u thotë nuk shihni investimet që kam bërë unë. Njerëzit janë përmbytur dhe ky vazhdon t’ju vejë fajin të tjerëve. 8 vite propagandë dhe asnjë punë  për të zgjidhur hallin e njerëzve”.

“Kush ka qenë 8 vite kryeministër? Kush i ka pasur të gjitha pushtetet këto 8 vite? Kush ka pasur miliarda euro në duar për të zgjidhur këto probleme në 8 vite?”, tha Basha.

“Vazhdoj t’i bëj thirrje gjithë strukturave tona, të bëjnë ç’është e mundur për t’i ndihmuar njerëzit dhe uroj, shpresoj dhe kam besim shumë të madh që edhe ky mësim i sotëm i një qeverie dhe një kryeministri të mbytur në dështimet të njëpasnjëshme, të intoksikuar nga propaganda, do të mundësojë që 25 prilli të jetë dita e një ndryshimi të madh dhe rrënjësor, dita kur të kemi një qeveri që të mendojë për njerëzit, si në ditë të mira ashtu edhe në ditë të këqija”, u shpreh Basha.

 

Fraksion.com