AktualitetPolitikëTë fundit

Kryemadhi: Taksat për biznesin e vogël janë dhjetëfishuar

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ishte sot në një takim me banorë të njësisë numër 5 në Tiranë.

Kryemadhi u shpreh se, “një nga problemet më të mëdha që qytetarët kishin ishte mungesa jo vetëm e parkingjeve, e gjendjes së përditshme, trafiku i rënduar, zhurmat e betonierëve të pallateve që ndërtoheshin, apo kur kanë edhe problematika për të kërkuar përgjegjshmëri, që t’u përgjigjej qoftë policia, qoftë bashkia e të tjera e të tjera”.

Ajo tha se, “një votë e secilit nga ne, sikur 10 minuta, atë kafen e mëngjesit t’ia kushtojmë një miku për ta bindur që të shkojë drejt kutisë së votimit më 25 prill, do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për ndryshimin për të cilin ka nevojë shoqëria jonë, të rinjtë tanë”.

“Megjithatë”, theksoi Kryemadhi, “një nga problematikat më të mëdha që ne e ndjejmë gjithmonë është edhe çështja e punësimit. Mungesa e vendeve të punës, edhe ata që janë në punë mungesën e një pune të mirëpaguar. Taksat e larta që janë stratosferike, dhe jo vetëm që janë dyfishuar, por kanë kaluar dhe për biznesin e vogël janë dhjetëfishuar”.

“Sistemi i taksave që kemi, vërtetë kemi thënë taksë progresive, gjasme në thonjëza që t’i taksojë ata që fitojnë më shumë, kush fiton më shumë paguan më shumë. Por faktikisht këtu kush fiton më pak paguan më shumë, dhe kush fiton më shumë nuk paguan fare. Madje merr nga buxheti i shtetit”, tha Kryemadhi.

 

Fraksion.com