AktualitetTë fundit

“Do sjellim prova që japin një tjetër tablo”;Avokatet e sanitares në gjykatë: Është në gjendje jo të mirë psikologjike, ka qenë me COVID-19 dhe…

Avokatet e Tire Alldervishit, 58-vjeçares të arrestuar për mashtrim pas skandalit të zbuluar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë kanë kërkuar një masë më të lehtë sigurimi në seancën e sotme, me afat 1-mujor.

Avokatet kanë deklaruar se klientja e tyre është në gjendje jo të mirë psikologjike dhe ka qenë e prekur me COVID-19, ndaj gjendja e saj nuk është e mirë, teksa kanë paralajmëruar prova që japin një tjetër tablo.

“Ngjarja është e rende për opinionin publik. Do kërkojmë hetim të plotë. E mbrojtura prej nesh është në gjendje jo të mirë psikologjike. Ka qenë e prekur me COVID dhe gjendja shëndetësore nuk është e mirë. Kërkojmë një masë më të lehtë me afat 1-mujor. Do të sjellim prova që japin një tjetër tablo”, deklaruan avokatet.

Ato e kanë cilësuar të paligjshëm përgjimin. Vetë sanitarja e spitalit COVID 2, Tire Alldervishi nuk dha shpjegime.

Prokurori Bledar Valikaj deklaroi se sanitarja i mori 2 mijë lekë vajzës së pacientes vetëm për t’i futur celularin brenda në spital dhe se paratë i mori me pretendimin për tua çuar  infermiereve, ndërkohë që pacientja i thoshte të bijës se nuk i jepej shërbim.

Prokurori Valikaj, tha se po hetohet nëse kemi të bëjmë me një skemë zhvatje ndaj të sëmurëve me COVID-19.

“Sanitarja i jepte kallëzueses edhe një listë me ilaçe që duhet të blinte për kurimin e së ëmës. Sanitarja Alldervishi në momente të caktuara ka kërkuar edhe 7 mijë lek, madje i cilësonte pak. Gjatë turnit të natës merrte më shumë para”, tha organi i akuzës.

 

Fraksion.com