A është zhvendosur qendra e Al Kaidas në Iran ?
Sekretari i Shtetit në largim Mike Pompeo thotë se Irani është shndërruar në atdheun e ri të grupit terrorist Al Kaida. Megjithëse e paraqesin situatën disi më të komplikuar, analistët bien dakort se Irani ka strehuar prej kohësh eksponentë të lartë të Al Kaidas dhe vënë në dukje se Irani do të vazhdojë të përbëjë një sfidë për administratën e ardhshme amerikane.
Kërcënimi nga Irani ka qenë fokusi kryesor i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo gjatë mandatit të tij tre vjeçar si kryediplomati amerikan, dhe kjo nuk po ndryshon gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë. Sidoqoftë, deklarata tërhoqi vëmendje.
“Al Kaida ka një atdhe të ri. Është Republika Islamike e Iranit”, deklaroi Sekretari Pompeo.
Sekretari Pompeo tha se Al Kaida po vepron nën mbrojtjen e guackës së regjimit iranian dhe se Irani është shndërruar në Afganistanin e ri – një strehë e sigurtë për rrjetin terrorist që sulmoi Amerikën më 11 shtator 2001.
Shumica e ekspertëve thonë se aleanca mes Iranit dhe Al Kaidas nuk është e re dhe se Irani nuk shërben si selia qendrore, megjithëse pranojnë se Teherani ka strehuar eksponentë të lartë të Al Kaidas prej shumë vitesh.
“Për sa i përket (deklaratës) që Irani të jetë atdheu i Al Kaidas, mendoj se është pak më e komplikuar se kaq. Ne kemi thënë prej vitesh se ata kanë shpërndarë një lloj platforme drejtuese. Pra, kanë udhëheqës të përhapur në disa vende tashmë”, thotë Thomas Joscelyn, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.
Ekspertë të tjerë e shikojnë me dyshim momentin e zgjedhur nga Sekretari Pompeo, duke i parë si masa për të shtrënguar politikën e administratës së ardhshme Biden ndaj Iranit.
“Mendoj se Sekretari Pompeo thjesht po mundohet të gjejë mënyrën për t’i krijuar pengesa administratës Biden që ka shpallur synimin për t’iu rikthyer marrëveshjes bërthamore të Iranit. Por, pothuajse si çdo gjë tjetër që ka provuar Sekretari Pompeo gjatë katër viteve të fundit për të prishur marrëveshjen bërthamore, mendoj se është e destinuar të dështojë pasi nuk ofron alternativë tjetër më të mirë”, thotë Ali Vaez, nga Grupi i Krizave.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se do të dëshironte të rikthente Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen bërthamore me Iranin, nëse Teherani gjithashtu i rikthehet zbatimit të masave ndaj aktivitetit të tij bërthamor.
Fraksion.com