AktualitetBota+Të fundit

Thirrja e OBSH-së: Vaksina s’ju mbron, imuniteti i tufës s’do të arrihet këtë vit!

Megjithëse ka nisur shpërndarja e vaksinës dhe procesi i vaksinimit anti-Covid në mbarë botën, “Organizata Botërore e Shëndetësisë” ka bërë thirrje se vaksina nuk është ende shpëtimi dhe duhet të vazhdojmë të ruhemi.

Shkencëtarja e OBSH-së,  Soumya Sëaminathan, u shpreh se imuniteti i tufës nuk do të arrihet as në vitin 2021.

“Edhe kur vaksinat të fillojnë t’i mbrojnë më të cenueshmit, ne nuk do të arrijmë nivele të imunitetit të popullsisë ose imunitetit të tufave në vitin 2021. Edhe nëse kjo ndodh në disa vende, njerëzit sërish nuk do të jenë të mbrojtur nga Covid-19”, – ka përfunduar ajo.

Ditën e djeshme, Kryeministri Rama, shefja e infektivit Najada Como, mjeku Pëllumb Pipero, mjeku Tritan Kalo dhe të tjerë emra të njohur morën vaksinën anti-Covid në vendin tonë.

Kreu i qeverisë u shpreh se shqiptarët nuk duhet të kenë më ankth dhe të jenë ende skeptikë.

Ai bëri të ditur që është vaksinuar për të dhënë një mesazh ndërgjegjësues te qytetarët dhe për t’i bindur se vaksina është e sigurt. Kryeministri është shprehur se çdo gjë ka kaluar pa asnjë problem dhe se Shqipëria është çliruar nga një barrë e madhe.

Me batutë për teoritë e konspiracionit Rama tha se ilirët nuk mund të bëhen vikingë dhe se nuk ka asnjë çip.

“Çdo gjë në rregull. Asnjë problem. Mendoj se është një ditë fantastike për faktin se jemi çliruar nga një barrë shumë e madhe. Barra e përgjegjësisë për të mos lejuar që shqiptarët të mbeteshin në radhë dhe për të mundësuar, pavarësisht se, Shqipëria dhe rajoni ku ne bëjmë pjesë, nuk u përfshi në skemën e furnizimit të menjëhershëm, të fillonte me sa më pak diferencë kohe nga ata të cilët kanë dhe gurin dhe arrën në dorë dhe i marrin vendimet dhe bëjnë dhe furnizimet. Ky spostim fare pak javor në kohë është një lehtësim i madh për mua. Tani shqiptarët mund të presin pa ankthin a do vijë a s’do vijë vaksina. Vaksina nuk është e detyrueshme por e këshillueshme dhe duhet të çlirohen nga marrëzitë dhe helmet e burimeve të konspiracionit”, është shprehur ai.

Rama tha se do t’i dhurojnë Kosovës doza me vaksinë duke filluar nga java e ardhshme. Sipas tij është e rëndësishme që në Kosovë të fillojë vaksinimi në frontin e parë, pasi marrëveshja e Covax për të siguruar vaksinën mund të vonojë. Sakaq, Rama nuk u kursyer të përmendte sërish Bashkimin Europian.

 

Fraksion.com