AktualitetTë fundit

Skandali në “Stop”, MSH kërkon vetëm shkarkimin e sanitares dhe hetim për rastin

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar menjëherë pas publikimit të skandalit në emisionin investigativ “Stop”, ku sanitarja Tire Alldervishi hiqej si infermiere dhe i mori vajzës së një gruaje të infektuar me Covid-19, që më vonë ndërroi jetë, një shumë parash.

Në njoftimin e saj lëshuar për mediat mbrëmjen e kësaj të marte, Ministria e Shëndetësisë thotë se i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” që të shkarkojnë menjëherë nga puna sanitaren Tire Alldevishi. Ndër të tjera kërkohet nga autorietetet kompetente që të hetohet rasti i korrupsionit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares Tire Alldervishi, të spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi”  shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A.  Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për t’i shkuar deri në fund”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë falënderon emisionin investigativ “Stop” për denoncimin e rastit në fjalë dhe thotë se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e qytetarëve për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon.

Aktin e sanitares Tire Alldervishi, Ministria e Shëndetësisë e konsideron si një rast të izoluar të një punonjëseje të papërgjegjshme, që sipas tyre “nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë”.

 

Fraksion.com