Situata nga përmbytjet drejt përmirësimit; Peleshi: Si rrallëherë ka nisur në janar zhbllokimi i aksit Theth-Bogë
Situata e krijuar nga përmbytjet në Shkodër është përmirësuar pasditen e kësaj të marte, megjithatë efektivë të Forcave të Armatosura ndodhen ende në terren duke ndihmuar në zona si ajo e Obotit.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë një pasqyrim të situatës në vend.
“Në Shkodër kemi qetësim të situatës dhe rënie të nivelit të ujit, megjithatë trupat e batalionit të Vaut të Dejës janë në terren dhe po ndihmojnë banorët e Obotit. Vjosa gjithashtu po normalizohet, pasi kemi rënie të ndjeshme në Përmet dhe Memaliaj”, shprehet ministri Peleshi.
Forcat e Armatosura po ashtu janë angazhuar edhe për hapjen e aksit të bllokuar Bogë-Theth në Shkodër.
“Si rrallëherë ka nisur puna që në janar për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth në Shkodër. Po e hapin efektivët e Komandës Mbështetëse në bashkëpunim me ARRSH, të cilët janë maksimalisht të përkushtuar për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve”, bën me dije ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ndërsa garanton gatishmërinë e plotë në çdo orë dhe ditë të javës.
Fraksion.com