AktualitetLife StyleTë fundit

Si u prek Shqipëria nga pandemia e gripit të Hong Kong-ut; Në 2 muaj 492 mijë të sëmurë. Shqiptarët refuzonin barnat, donin…

Nga Kreshnik KUÇAJ

Gripi i Hong Kong-ut i njohur edhe si pandemia e vitit 1968 ishte një pandemi që shpërtheu në mbarë botën në vitin 1968 dhe 1969 dhe u shtri edhe në vitin 1970. Vlerësohet se nga ky shpërthim humbën jetën 1-4 milion persona në mbarë botën.

4 muaj pasi kishte shpërthyer gripi, mikrobiologu amerikan Maurice Hilleman dhe skuadra e tij krijuan vaksinën dhe më shumë se 9 milionë doza u prodhuan. Virusi H3N2 u rikthye në sezonin dimëror 1969–70  dhe rezultoi me një valë të dytë më vdekjeprurëse për Europën, Japoninë e Australinë. Ky virus qarkullon ende në ditët e sotme në formën e gripit sezonal. Simptomat e gripit zakonisht zgjasnin 4-5 ditë por në disa javë zgjasnin deri në 2 javë.

Si u konfirmuan rastet e para të gripit të Hong-Kong-ut në Shqipëri. Raporti: Një person kishte kontakt në Jugosllavi

Shqipëria ndodhej në atmosferën festive të Vitit të Ri 1970 kur konfirmoi rastet e para të prezencës së gripit të Hong-Kong-ut në disa qytete të Shqipërisë. Dokumentet që ndodhen në Arkivën e Shtetit shqiptar dhe që i sjell SCAN hedhin më shumë dritë për atë që ka ndodhur në vitin 1970.

Me 29 dhjetor të vitit 1969, Ministri i Shëndetësisë doktor Çiril Postoli i dërgon shkresë zyrtare numrit 2 të kabinetit qeveritar, Adil Çarcanit duke konfirmuar në Shqipëri ardhjen zyrtare të virusit të gripit të emërtuar A2 Hong-Kong 68.

Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë kishte konfirmuar dy persona të sëmurë me grip që kishin pasur kontakte me një person të sëmurë të ardhur nga Jugosllavia. Më pas, u konstatuan 3 raste në Tiranë të cilët kishin infektuar 31 persona të tjerë. Në Vlorë një person kishte infektuar 11 pjesëtarë të familjes e fisit ndërsa në Durrës ishin konfirmuar pozitivë me virus disa marinarë në 3 anije shqiptare që kishin ardhur nga portet e huaja.

Të dhënat laboratorike dhe epidemiologjike të përmendura më lart flasin për atë që gripi i shkaktuar nga virusi A2 Hong-Kong 68 është futur në vendin tonë” evidentohej në shkresë. Kjo shkresë, iu dërgua për dijeni edhe ministrit të Brendshëm e si rrjedhojë, periudha e festës karakterizohet nga një serë lëvizjesh mobilizuese të strukturave shëndetësore shqiptare, që ende nuk e dinin se me çfarë do të përballeshin brenda pak ditësh.

Brenda pak ditësh, gripi nis të marrë përmasa kolosale. Në një radiogram të datës 5 janar 1970 drejtuar komiteteve ekzekutive të rretheve dhe strukturave shëndetësore, Këshilli i Ministrave konfirmon zyrtarisht se vendi ndodhet përballë një epidemie gripi dhe se për të përballuar një gjendje të tillë, të gjitha poliklinikat duhej të kishin në dispozicion mjetet e transportit me qëllim që mjekët të ofronin shërbimin në banesë për të sëmurët.

Me 9 janar të vitit 1970, Drejtoria e Higjenës dhe Epidemiologjisë konfirmoi se në Shqipëri ishin zyrtarisht 47 mijë e 982 raste me grip.

raporti-i-dyte

Brenda pak ditësh, me 25 janar 1970, gripi mori përhapje edhe më të madhe duke u rritur në një shkallë të frikshme sa i përket numrave.

Raporti i 25 janarit 1970: Rritje e frikshme e shifrave të të prekurve. Intensitet më të lartë në Tepelenë

Brenda pak ditësh, në janarin e vitit 1970 epidemia e gripit u shtri në të gjithë Shqipërinë, duke e bërë të pamundur mbajtjen nën kontroll të infektimeve por vetëm menaxhimin e situatës  përmes ofrimit të trajtimit mjekësor.

Në raportin e ministrisë së Shëndetësisë drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu evidentohet se numri i infektimeve kishte shkuar në 342 mijë e 128 raste.

Epidemia e gripit është shtrirë në të gjithë rrethet e Republikës duke arritur me datë 25 janar 1970 shifrën prej 342 mijë e 128 raste ose 16.5 % të popullatës. Në të gjitha rrethet janë marrë analiza për të përcaktuar shkaktarin e epidemisë.

Në 18 analiza të marruna në rrethet Tiranë, Vlorë, Fier, Shkodër është përcaktuar virusi i gripit të tipit A2 Hong Kong 68.  Në rrethet ku epidemia ka filluar më shpejt, ajo ka filluar të bjerë si në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Fier, Lushnje,Sarandë , Shkodër, Tepelenë etj. Tani gripi ka hyrë në fshat.  

Rrethet në të cilat epidemia ka patur një intensitet më të lartë janë Tepelena, ku u sëmurën nga gripi 57 % e popullatës, Gjirokastra 27.8 %, Tirana 24,4 %, Vlora 21.9%, Kruja 22.1 %, Skrapari 20.9 %, Durrësi 18.7 %, Berati 17.6 % Kryesisht janë prekur moshat mbi 15 vjeç me 65 % të rasteve.  Sëmundja në vetvete është paraqitur me format e mesme e në shumë raste në forma të rënda. Të sëmurët me grip të thjeshtë i fitojnë aftësitë për punë pas 5-7 ditësh ndërsa ata me komplikacione pas 3-4 javësh.  

Vdekjet sipas të dhënave operative që nga fillimi i epidemisë kanë arritur në 355 ose 0.1 % në raport me morbozitetin; prej tyre 79 kanë ndodhur në fëmijë të moshës 0-1 vjeç dhe 206 në moshën mbi 60- vjeç” evidentohet në shkresën e ministrisë së Shëndetësisë drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu.

 

Për pandeminë u angazhuan edhe studentët e nxënësit

raporti-29-dhjetor

Për përballimin e epidemisë së gripit iu kushtuaë një vëmendje e veçantë propagandës shëndetësore përmes fletushkave informuese, pllakatave, shytpit e radio-televizionit. Në periudhën 14-22 janar në 11 rrethe të vendit u dërguan 170 studentë të Fakultetit të Mjekësisë për të përballuar volumin e madh të punës.

Në funksion të kësaj beteje mjekësore, 2 mijë e 335 nxënës u vunë në shërbim të epidemisë. Krahas mobilizimit të stafeve mjekësore dhe struktuarve të tjera shtetërore, spitalet e vendit boshatisën repartee të ndryshme si kirurgjia, patologjia, sëmundjeve të lëkurës etj në funksion të shtrimit, kryesisht të fëmijëve 0-1 vjeç.

Epidemia e gripit nisi të marrë një kthesë të fortë në fundin e janarit të vitit 1970. Ndryshe nga më parë që ishte përhapur kryesisht në qytete, tashmë gripi po adresohej agresivisht në fshatrat e vendit. Shqetësimi që shprehet nga ministria e shëndetësisë është mungesa e të dhënave statistikore që nuk janë të plota.

Po ashtu, një problematikë tjetër është se shumë poliklinika nuk kishin marrë mjetet e transportit nga ndërmarrjet e tjera sikurse parashikohej në plan, e në disa raste ishin konstatuar fshatarë të sëmurë që shkonin në poliklinika në gjendje të rënduar me mjete si karroca e kafshë.

radiogrami-ok-1

Ministria e Shëndetësisë kërkonte që të prekej rezerva shtetërore e barnave. Nevojat ishin 5 mijë kilogramë aspirina, 1 milionë flakonë penicilinë,  500 kilogramë tetraciklinë e deri edhe 50 kilogramë opium.

Menjëherë pas kësaj shkrese, kryeministri njofton pezullimin e të gjitha aksioneve masive, si masë për të parandlauar përhapjen e mëtejshme të gripit.

Fillimi i muajit shkurt shënon një rritje të metejshme të rasteve të konfirmuara me gripin e Hong Kong-ut.

Me 6 shkurt 1970 numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 491 mijë e 985 raste duke prekur kështu 23.7 % të popullatës.

 

Në fshatra refuzoheshin ilaçet sepse besonin te injeksioni

Në shkresën drejtuar zëvëndëskryeministrit Adil Çarçani, ministri i Shëndetësisë shpreh disa shqetësime. E ndër to është refuzimi i fshatarëve për të marrë barnat në formën e kokrrave.

Gjatë kontrolleve të kryera në gjithë rrethet e vendit për këtë periudhë, kemi vërejtur se fshatarët në përgjithësi nuk i vlerësojnë barnat e dhëna nga personeli mjekësor duke i konsideruar si pa vlerë në qoftë se këto nuk janë injeksione” evidentohet në shkresë.

Dyshimet mbi statistikat e vdekjeve

mehmet-shehu

Problematika e statistikave të epidemisë së gripit theksohet edhe më shumë në shkresën e fillimshkurtit. “Numri i vdekjeve arriti në 1 mijë e 134. Nga të dhënat e pjesshme që kemi, vërehet se në pak rrethe i përafrohen shifrave ekzakte. Si p.sh rrethi i Beratit ka njoftuar 28 vdekje për gjithë periudhën e epidemisë ndërsa të dhënat e nxjerra nga zyrat e gjendjes civile dëshmojnë një rritje nga 88 vdekje në muajin janar  1969 në 170 në janarin e 1970.

Po kështu Fieri ka njoftuar 27 vdekje  ndërsa raporti janar 1969-1970 është 101 në 273 vdekje, Lushnja nga 46 në 163, Tropoja nga 28 në 82 etj” evidentohet në shkresën e 7 shkurtit të vitit 1970 të ministrit të Shëndetësisë, Çiril Pistoli.

Me 16 maj, epidemia u konsiderua e mundur dhe me këtë rast, mjekët u përshëndeten nga kryeministri i kohës Mehmet Shehu përmes një letre që mban datën 16 maj 1970. /Scan/