Serbi: Spitalet në limitet e tyre për përballimin e pandemisë
Nga Serbia largohen mjekë, ndërkohë që mungesat e personelit e pajisjeve në spitale si dhe menaxhimi jo si duhet e vështirësojnë situatën me pandeminë: Ka rritje të numrit të infektimeve e po ashtu edhe të vdekjeve.
Nga Serbia largohen çdo vit rreth 2000 forca të kualifikuara në mjekësi. Ndërkohë në kushtet e pandemisë ka pasur të paktën 3.300 të sëmurë nga radhët e personelit të shërbimit mjekësor dhe 67 mjekë të vdekur: Ky është bilanci nga klinikat e sistemit serb të shëndetësisë përgjatë gati një viti të luftës kundër koronavirusit. Mungesa e pajisjeve mbrojtëse dhe e shtretërve nëpër spitale si dhe organizimi i keq e kanë vështirësuar ndjeshëm jetën në „zonat e kuqe”.
Gazetarja e medias N1 Jelena Zoriç e ka ndjekur këtë nga afër. Më shumë përshtypje asaj i ka bërë puna me përkushtim e personelit mjekësor: „Kur i pyesja, nëse kanë frikë nga infektimi, shumica përgjigjeshin: Nëqoftëse ndodh, do të jetë e tmerrshme. Unë i pyesja: Sepse e dini pra, sa i rrezikshëm është virusi? Përgjigja ishte: Jo, deshëm të themi tjetër gjë. Do të jetë e tmerrshme, nëse sëmuren më shumë mjekë. Atëherë nuk mbetet më njeri që të kujdeset për ju të tjerët”.
Rade Panić, mjek anestezist, njëkohësisht edhe kryetar i sindikatës së mjekëve dhe farmacistëve, thotë, se nuk ka asnjë dyshim, që sistemi serb i shëndetësisë është në kolaps – kjo për arsye se është lënë pasdore me dekada. „Gjatë shërbimit tim të gatishmërisë nga 6 nëntori deri më 31 dhjetor në pavionin e COVID-it në Kraljevo ne në asnjë moment nuk kemi pasur mjaftueshëm shtretër reanimacioni, aq sa na duheshin për të gjithë.”
Qeveria pohon të kundërtën
Sistemi është vërtetë i mbingarkuar, por jo në kolaps, thotë shtabi i krizës së koronavirusit i ngarkuar nga qeveria. Nuk mungojnë më pajisjet mbrojtëse dhe krahas qendrave provizore të COVID-it janë ndërtuar edhe dy spitale të reja COVID.
Predrag Kon, epidemiolog dhe anëtar i shtabit të krizës së koronavirusit thotë se: „Spitalet janë hapur momentin e fundit. Eshtë e qartë, që ato gjatë fazës së ndërtimit edhe duhej të pajiseshin siç duhet, në mënyrë që të mund të pranoheshin dhe të trajtoheshin pacientët.”
Një diagnostikim përfundimtar i sistemit serb të shëndetësisë do të jetë i mundur vetëm nëse do të marrin përgjigje këto dy pyetje: Së pari: sa mjekë do të largohen nga Serbia pas pandemisë dhe së dyti: sa njerëz do të vdesin prej sëmundjeve të tjera, meqënëse spitalet serbe pranojnë pothuajse vetëm pacientët me koronavirus./DW
Fraksion.com