Po shembet rruga e “Salillarit”; Vlorë, kompania mundohet të “fshehë” gropat, rrëshqitja vazhdon
Një tjetër rrugë po shembet në Vlorë dhe sërish bëhet fjalë për një aks rrugor që mirëmbahet nga kompania “Salillari”.
Në aksin nacional Vlorë – Orikum në vendin e quajtur “te Zhironi”, 7 km nga qyteti i Vlorës , rruga ka nisur të çahet në një pjesë të shtratit të saj menjëherë pas reshjeve të fundit. Në një gjatësi prej 100 metrash shtrati i rrugës po zhvendoset. Kjo rrugë është kontraktuar për 13.7 milionë euro që të mirëmbahet nga kompania “Salillari”.
Por siç duket edhe nga pamjet, puna e mirëmbajtjes ka qenë aq e dobët ose ka munguar fare sa mjaftoi shiu i parë që skandali të dalë në dritë. Por edhe ndërhyrja aktuale sipas specialistëve është aspak sipas termave teknikë. Punonjësit e kompanisë “Salillari” janë duke hedhur zhavorr dhe beton në kanalin e sapo hapur të rrugës së çarë. Kjo mënyrë riparimi vetëm sa mbulon në sipërfaqe dëmet por rrëshqitja në themel të rrugës nuk evitohet. Të parët që e kanë vënë re punën “shkel e shko” të mirëmbajtjes janë pronarët e bizneseve që janë poshtë rrugës.
Ai na shpjegon se kjo rrugë rrezikon seriozisht të shembet, edhe pse i është hedhur një cipë asfalt para disa kohësh rruga po shembet dita ditës. Ai na tregon edhe pjesën poshtë rrugës, ku muret e betonit që mbajnë rrugën janë fundosur nga ujërat e ditëve të fundit. E vetmja zgjidhje sipas banorit është vendosja e pilotave të betonit dhe jo mbushja e gropave, pasi shumë shpejt ky aks rrugor do të jetë i pakalueshëm nga shkarja e rrugës.
Brenda pak ditëve, ky është skandali i dytë që ndodh me këtë aks nacional që duhet të mirëmbahet nga kompania “Salillari”. Për pesë vite ajo është paguar me 13.7 milionë euro për të mos lejuar të ndodhnin shembje të tilla. por si në Borsh, ashtu edhe në vendin e quajtur Zhiron, shembjet ndodhën, puna s’është kryer dhe paratë janë shpenzuar. Kontrolli i Larte i Shtetit ndërkohë ka nisur një hetim në lidhje me këtë kompani te cilës edhe me herët rrugët i janë shembur./top channel
Fraksion.com