AktualitetOp-EdTë fundit

Opinioni në DW nga Ines Pohl: Donald Trump, dil nga skena politike!

Për katër vjet, Donald Trumpi përgatiti me gënjeshtra dhe propagandë sulmin ndaj Kapitolit në Uashington. Duhet të parandalohet me të gjitha mjetet që ai të kandidojë përsëri, komenton Ines Pohl.

 Jo, ngjarjet e 6 janarit nuk ishin një shkarje. Ato nuk ishin as rastësi. Ato ishin pasoja e pashmangshme e një presidence katër vjeçare që mbështetej në tërbim në vend të së vërtetës dhe që ishte në gjendje ta kthente qëndrimin politik të mbështetësve në urrejtje ndaj “tjetrit”.

Donald Trumpi mban përgjegjësi

Isha në vendin e ngjarjes dhe e përjetova me sytë dhe veshët e mi se si fjalimi i Donald Trumpit, në atë ditë të ftohtë janari, i ktheu demonstruesit kryesisht paqësorë në një turmë të zemëruar. Nuk ka absolutisht asnjë dyshim që presidenti u kërkoi njerëzve të sulmonin Kapitolin. Si duhet të kuptohen ndryshe fjali si kjo: “Jo, ne nuk do ta vëmë kurrë nën kontroll vendin tonë me dobësi, ju duhet të tregoni forcë dhe duhet të jeni të fortë”. Ai i bëri thirrje masës – e kombinuar kjo me kërkesën për të marshuar drejt Kapitolit.

Unë fola me njerëzit që kishin ardhur në kryeqytet nga i gjithë vendi për të protestuar për rezultatin gjoja të “vjedhur” të zgjedhjeve. Shumica ishin amerikanë të zakonshëm. Të cilët janë vërtet të bindur se fituesi i vërtetë i zgjedhjeve presidenciale është Donald Trumpi. Të infiltruar nga genjeshtrat e tij. Të mbërthyer në flluskat e tyre të mediave sociale. Të brohoritur nga ata politikanë të lartë republikanë që, krejtësisht të papërgjegjshëm, ndihmuan në ndërtimin e kësaj ndërtese të rrezikshme gënjeshtrash. Dhe që kanë sakrifikuar betimin e tyre për të respektuar kushtetutën ndaj lakmisë së tyre personale për pushtet.

Republikanët duhet të reflektojnë

Dhe pikërisht sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me një grusht të krisurish, demokratët duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të parandaluar që presidenti në detyrë të kandidojë përsëri. Donald Trumpi i ka lyer duart me gjak. Në sulmin ndaj Kapitolit vdiqën njerëz. Vetëm kjo është arsye e mjaftueshme për të ndjekur një procedurë të dytë të largimit nga posti. Por është edhe më e rëndësishme të organizohen shumicat e duhura në Kongres për të miratuar një dekret që siguron që Donald Trump të mos lejohet kurrë të kandidojë për poste publike përsëri. Kjo kërkon një shumicë prej dy të tretave, e cila arrihet vetëm kur rreth 20 republikanë të reflektojnë.

Këto janë vendime të vështira që duhet të marrin demokratët në ditët në vazhdim. Ndjekja menjëherë e procedurës, sjell rrezikun që javët e para të presidencës së Joe Bidenit të kalojnë në hijen e diskutimeve për të ardhmen e Donald Trumpit. Prandaj disa argumentojnë se duhej pritur derisa të fillojë punën qeveria e re dhe të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të mbijetuar në luftën kundër katastrofës COVID. Rreth tre dhe katër mijë njerëz vdesin çdo ditë nga virusi në Shtetet e Bashkuara.

Ines Pohl Ines Pohl

Mund të ndodhë që këto hapa të konfirmojnë shumë mbështetës të Trumpit në pretendimin se sistemi politik në Shtetet e Bashkuara është “infiltruar”. Por kjo duhet të bëhet kabull.

Partia Republikane ka treguar herë pas here se nuk e kundërshton dot lojën e pushtetit të Donald Trumpit. Po të ketë mundësi të kandidojë përsëri pas katër vjetësh, ai do të vazhdojë t’i mbajë peng republikanët dhe t’i marrë me vete. Dhe jo vetëm kaq. Në vitin 2020, për Donald Trumpin votuan 73 milionë vetë. Në vitin 2024 është plotësisht e mundur që ai do të ketë disa miliona të tjerë me vete, po të vazhdojë të punojë për ta riinterpretuar realitetin në një shfaqje alla Trump – me perspektivën e kthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Duhet t’u bëhet e qartë të gjithë njerëzve me përgjegjësi politike se përhapja e gënjeshtrave dhe nxitja e urrejtjes ka pasoja – dhe e përfundon karrierën politike menjëherë. Stuhia në Kapitol ishte vetëm një parashije e asaj që mund të vijë.

 

Fraksion.com