Basha: Qeveria ka braktisur qytetarët duke i lënë ata pa mbështetje
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi sot qeverinë se ka braktisur qytetarët duke i lënë ata pa asnjë mbështetje.
“Kjo është një qeveri që mendon vetëm për veten e saj. Mendon vetëm për paratë e saj jo për paratë e qytetarëve. Nuk ju intereson qytetari, nuk e kanë në listë qytetarin dhe kjo është arsyeja se pse shqiptarët edhe pas tërmetit, edhe gjatë pandemisë, edhe gjatë përmbytjes janë lënë në mëshirë të fatit, janë braktisur ndërsa qeveritarët e tyre darkojnë me fatura të kripura 1000 dollarë bifteku”, deklaroi ai gjatë një prononcimi për mediet.
Basha tha se është koha që qeveritarët të cilët abuzojnë me pushtetin dhe me paratë e qytetarëve të shkojnë para drejtësisë.
“Është koha të kemi një qeveri, e cila jep zgjidhje për problemet tuaja në vend që të merret nga mëngjesi deri në darkë me vjedhjen e pasurive tuaja. Është koha për ndryshim dhe këtë ndryshim do ta sjellim ne”, deklaroi kreu i PD-së.
Fraksion.com