“Përmbytje në Shqipëri”; DW: Ushtria në ndihmë të familjeve në izolim
Ura rurale të shembura, rrugë të bllokuara, 7.450 hektarë nën ujë – bilanci i përmbyjtjeve të fundit në Shqipëri ka vënë në veprim ushtrinë.
Rreshjet e mëdha të shirave të javës së kaluar që vazhdojnë edhe të hënën,( 11.01) kanë shkaktuar përmbytje në zonën veriperëndimore të Shqipërisë, qëndrore dhe në Jug. Përmbytjet janë më të mëdha në Shkodër, Lezhe dhe Laç. Lumi Vjosa në Jug të vendit ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytyr zonën përreth Urës së Mifolit. Përmbytje kanë ndodhur edhe në rrethin e Durrësit.
Dëmet përfshijnë disa mijëra hektarë toka nën ujë, rrugë të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut, dhjetëra banesa të dala jashtë përdorimit, ura të shembura në zonat rurale, fshatra të izoluara që mund të arrihen vetëm me kamionë ushtarake apo mjete lundruese.
Evakuimi i familjeve
Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes (10.01) raportohet se 36 familje janë evakuar nga zonat e përmbytura në Lezhë dhe Durrës nga shtëpitë e tyre të dëmtuara dhe të pabanueshme nga përmbytja. Forcat e Armatosura po mundësojnë lëvizjen e banorëve me mjete lundruese dhe mjete të larta dhe furnizojnë banorët e zonave të prekura me ushqime nga Rezervat e Shtetit.
Disa fshatra e rrugë janë bllokuar dhe dhjetra mësues dhe fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak se banesat e tyre janë rrethuar nga uji. Autoritetet kanë bërë me dije se deri tani janë përmbytur 7.450 hektarë tokë në Shkodër, Lezhë dhe Durrës, disa ura në zonat rurale janë shkatërruara dhe disa rrugë të bllokuara përkohësisht për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Disa fshatra mund të arriheshin vetëm me kamionë ushtarakë ose anije të vogla. Nga përmbytjet nuk ka asnjë viktimë.
Fraksion.com