“Nuk është Greqia”; Vaksinimi, Rama: Dozat e para nga një shtet i BE-së, falë marrëdhënies dypalëshe
Kryeministri Edi Rama deklaroi se “është siguruar fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 para afatit, ai rezultat i hapjes së një kanali bilateral për sigurimin e vaksinës me një nga vendet e Bashkimit Europian”.
Në konferencën për shtyp në “Air Albania Stadium” për planin e vaksinimit, Rama tha se “ndjehem vërtetë i lehtësuar për faktin se jo vetëm kemi arritur në kushte aspak të lehta të garantojmë 500 mijë dozat e para të vaksinës Pfizer, por edhe të sigurojmë fillimin e vaksinimit para afatit, falë marrëdhënieve bilaterale, që sikundër edhe këtë e kam bërë me dije publikisht, janë kyçe në këtë proces të çuditshëm”.
“Faktikisht strategjia dhe drejtimi i përcaktuar nga BE për skemën e COVAX ka rezultuar të jetë ende sot që flasim një drejtim i papërcaktuar në kohë. Pra pavarësisht angazhimit me COVAX të Shqipërisë dhe vendeve të tjera jashtë BE-së, nëse do të qëndronim në pritje të COVAX do të ishim akoma duke pritur. Nuk dihet ende sot se do të zgjaste kjo pritje”, tha Rama.
Ndaj, theksoi ai, “ne jemi angazhuar që në krye të herës intensivisht me kanale të tjera, siç bëjnë edhe vendet e tjera”.
“Ia kemi dalë të kontaktojmë në Nju Jork kompaninë Pfizer dhe hapëm një kanal për 500 mijë doza, dhe njëkohësisht kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale me 4 vende. Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë me 1 nga kanalet bilaterale me një nga vendet e BE-së dhe këtë nuk e bëj me dije për shkak të kërkesës së tyre. Por meqë është thënë se ky vend është Greqia, mund t’ju them se nuk është Greqia”, tha Rama.
Fraksion.com