AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Reshjet e shiut dhe borës, vërshime në disa rajone

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar të hënën Qendrën e Situatave për t’u njoftuar si është gjendja nëpër komunat e prekura më së shumti nga reshjet e shiut dhe borës, që kanë shkaktuar vërshime në disa rajone.

Përveç takimit me drejtorin e kësaj qendre, Shaqir Shaqiri, kryeministri në detyrë Hoti është thënë të jetë në komunikim edhe me komandatin e KFOR-it, Gjeneral-majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmëri për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse nëse ka nevojë.

“Institucionet e Kosovës janë duke përcjell nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, është thënë në komunikatën e kryeministrisë.

Në njoftimin e Ministrisë në detyrë të Infrastrukturës, u është bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ngasjes për shkak të kushteve atmosferike.

Aty është thënë se në rajonin e Gjilanit, është bllokuar rruga në drejtimin Kamenicë-Strezovc, derisa në rrugën Brezovicë – Sharr ka dy pengesa, në të cilat është intervenuar nga ekipet e mirëmbajtjes.

Në pjesën dalëse të autostradës Ibrahim Rugova në Mazgit është thënë se ka deformim të rrugës.

Përveç tyre, kjo ministri ka njoftuar se në Prishtinë afër rrethrrotullimit në QMI ka grumbullim të ujit, andaj është mbyllur qarkullimi në këtë rrugë, përkatësisht nga rrethrrotullimi mbi hekurudhë deri në rrethrrotullim të QMI-së.

Një ditë më parë, Instituti Hidrometorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sasitë e reshjeve janë më intensive në rajonin e Dukagjinit.

“Më i atakuari është sistemi lumor i Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuotat maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime (Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Pejës Bistrica e Deçanit, Mirusha, Toplluha) pastaj në pellgun e Ibrit lumenjtë: Ibri, Sitnica, Drenica me degët e tyre”, është thënë në njoftim.

 

Fraksion.com