“Iu luta Enverit të pranonte, por ai u revoltua”, mjeku i diktatorit zbulon shënimin e Nexhmije Hoxhës për sëmundjen
Pas përplasjes me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, profesor Kamberit, i cili qëndronte pjesën më të madhe të kohës pranë Enver Hoxhës, i ka bërë përshtypje një telefonatë e po asaj dite, maj 1981 e Kadri Hazbiut, ministër i Brendshëm, i cili në orën 4 të mëngjesit pyeste me habi nëse gjërat ishin mirë.
Telefona e Hazbiut bëhej nga Saranda, ndërsa profesor Kamberi shpreh habi se nga ishte informuar Kadri Hazbiu për gjendjen jo të mirë shëndetsore të Enver Hoxhës, pas komplikacioneve që ai kishte pasur në mushkëri dhe për të cilat ishte informuar në detaje vetëm Mehmet Shehu.
Po ashtu në vijim të rrëfimit të tij, në librin “Pacienti ynë i veçantë”, profesor Kamberi rrëfen dhe një takim të zhvilluar mes tij dhe ministrit të Shëbndetsisë Llambi Ziçishti me sekretarin e Komitetit Qendror Ramiz Alia për t’i kërkuar lehtësim të ngarkesës së punës për Enver Hoxhën, i cili po kalonte probleme me shëndetin. Sipas Alisë, ka problematika për të cilat vetëm Enver Hoxha mund t’i japi zgjidhje.
“Në qershor, -tha Ramizi, -kemi Plenumin. Shoku Enver i ka parë të gjitha materialet dhe kjo nuk përbën ndonjë ngarkesë për të. Por ka punë, -vazhdoi ai, – të cilat neve nuk na i mban kurrizi. Këto nuk mund të mos ia paraqesim”, shkruan profesor Kamberi në librin e tij.
AHMET KAMBERI
…E bëmë pa folur më gjatë rrugën deri në vendqëndrimin tonë. Atje unë nisa t’ua tregoj se çfarë kishte ndodhur shokëve që po na prisnin: prof. Hoxha, prof. Gaçja, Ylli, Hajroja dhe Sabiti, por ministri e ndryshoi temën e bisedës. Pas një copë here ai na tha që do të shkonte në shtëpi dhe do të kthehej prapë. Nuk kishte kaluar një gjysmë ore qëkur ishte larguar ministri, kur merr në telefonin e brendshëm Kryeministri. -Ma jep ministrin, -tha ai me një zë të qetë.
-Nuk është, – iu përgjigja unë. – Ka shkuar në shtëpi dhe do të kthehet pas pak. Do t’i them që e kërkuat, sapo të vijë, – ia ktheva unë.
-Jo, jo, -tha ai. Por, shko ti vetë te Ramizi dhe thuaja edhe atij ato që më thatë mua.
-Jo, -i thashë unë pa hezituar, duke mbajtur parasysh se më pak se një orë më parë më kishte thënë që ti të mos vish më për gjendjen e shokut Enver, por të vijë ky, ministri. Dhe vazhdova, ministri nuk do të vonojë për të ardhur.
Do t’i them menjëherë, sapo të vijë. Ai nuk më tha gjë tjetër. Unë e mbajta receptorin në vesh, derisa ai e uli të vetin. Kur erdhi ministri, unë ia përcolla menjëherë porosinë e Kryeministrit.
Ai nguli këmbë që të shkonim bashkë. Por unë e kundërshtova, duke i kujtuar edhe atë që na kishte thënë Kryeministri. Mirëpo ai nguli këmbë fort. Në të vërtetë, unë kisha afërsi me të. Së pari, e kisha pasur prof. të kirurgjisë së përgjithshme. Së dyti, e kisha pacient: e mjekoja për hipertensionin dhe ankthin.
Ai ishte njeri shumë i ndjeshëm, i dhembshur dhe shumë i sjellshëm. Por kisha vënë re se nuk e kishte të lehtë t’i përballonte situatat e vështira. M’u dhimbs kur po vazhdonte të më luste me këmbëngulje dhe pranova ta shoqëroja. Po shkonte ora 22.00. Banesën e Ramizit e kishim afër dhe ai na priti, sapo i telefonuam. Unë nisa t’i tregoja ndodhinë me Kryeministrin:
-Shkuam dhe te Kryeministri, shoku Ramiz, por ai na priti një çikë si ters… Por ministri ndërhyri menjëherë dhe thjesht i shpjegoi atij arsyen përse shkuam, pa e zënë në gojë atë që na ndodhi me të. Ramizi na tha se do të bënin çmos për t’ia lehtësuar punën Pacientit lidhur me problemet e zakonshme. Në qershor, -tha ai, -kemi Plenumin. Ai i ka parë të gjitha materialet dhe kjo nuk përbën ndonjë ngarkesë për të. Por ka punë, -vazhdoi ai, – të cilat neve nuk na i mban kurrizi. Këto nuk mund të mos ia paraqesim.
U kthyem përsëri në dhomën e Ekipit. Pasi u treguam shokëve bisedën me Ramizin, ministri u largua. Para se të largoheshin edhe kolegët e tjerë, unë ua tregova fije për pe ndodhinë me Kryeministrin. Ata e morën si me të qeshur këtë dhe filluam të bënim shaka, se si do të dukeshim me lëkurë të rrjepur.
Por Hoxha i vari turinjtë dhe tha me atë stilin e tij, kur nuk ndihej rehat:-Hëëë! Mos e merrni me shaka, ju…
Ylli ia priti menjëherë me të qeshur:
-Profesor, ti mos u shqetëso. Se ty dhe mua nuk do të na rripet lëkura. Ne të dyve na ka lavdëruar, -tha ai.
Qeshëm përsëri dhe shokët u ngritën e shkuan nëpër shtëpi. Pak më vonë erdhi Suloja.
-Vetëm të paskan lënë? – më tha ai.
-Po, vetëm, -ia ktheva. – I kemi përcaktuar masat e duhura.
-Më thanë se takuat edhe Kryeministrin sonte.
-Po. E takuam, -i thashë dhe i tregova se si na ndodhi me të,
duke qenë i sigurt se ai do ta përcillte atje ku duhej.
Në të gdhirë, rreth orës 4.30, bie telefoni i jashtëm.
-Jam unë, Kadriu, -më thotë. Po flas nga Saranda. Ishte Kadri Hazbiu.
-Urdhëroni shoku Kadri, -iu përgjigja menjëherë.
-Ç’kemi, -tha ai, – mirë jeni?
-Po, -iu përgjigja unë, – mirë jemi, i habitur për telefonatën në
atë orë të natës dhe nga Saranda…
Ai vazhdoi përsëri me këmbëngulje:
-Po mirë, mirë?…
-Fare mirë. Shumë mirë, – iu përgjigja unë shkurt.
-E po në rregull, vetëm për të pyetur mora. Dhe e mbylli bisedën.
Më bëri përshtypje se nga e mori vesh ai që kishim probleme. Sipas rregullores sonë, ai nuk përfshihej në personat që mund të viheshin në dijeni. Ne ishim të autorizuar vetëm për Kryeministrin.
Në drekë Ekipi u mblodh përsëri. Ishte edhe Suloja. Unë i vura ata në dijeni për telefonatën e Kadriut, me qëllim që Suloja ta përcillte atë brenda, atje ku duhej. Ai kërceu përpjetë dhe me një ton nervoz më tha:
-Po ti, pse jep shpjegime në telefon?
-Po flisja me një anëtar të Byrosë Politike, Sulo, dhe nuk mund t’i mbyllja telefonin atij, -ia ktheva unë me qetësi.
Pas asaj dite, telefoni ynë i jashtëm u ndryshua. Numrin e tij do ta dinin vetëm anëtarët e Ekipit dhe natyrisht, shefi i sigurisë. Do të kalonte shumë kohë para se ta merrja vesh që Suloja i kishte mbajtur për vete këto informacione. Ditën tjetër, që në mëngjes, më merr ministri në telefon dhe më thotë:
-Ahmet, Kryeministri e kishte lexuar informacionin që më dhe ti. Ai më tha se nuk e kishte ditur se Ekipi punonte kaq mirë. Më tha, gjithashtu, -vazhdoi ai, -se ai i miratonte të gjitha kërkesat që i ishin paraqitur.
E pyeta ministrin nëse Kryeministri kishte vënë ndonjë shënim mbi informacionin tonë.
-Jo, -më tha ai, -nuk kishte vënë asnjë shënim.
Atëherë, iu luta atij, të vinte ai vetë shënimin për ato që më kishte thënë në telefon dhe të ma kthente informacionin.
Dhe kështu u bë. Ministri ma ktheu informacionin me shënimin e tij.
Unë ia dhashë atë Drita Ndonit, infermieres personale të Pacientit, që ta vendoste në kasafortën ku mbaheshin dokumentet e tjera mjekësore të tij, në infermieri. Ai dokument përmbante listën e problemeve më kryesore shëndetësore të Enverit.
Ato janë përfshirë në listën përfundimtare të sëmundjeve të tij, në seksionin e diabetit dhe të sëmundjes aterosklerotike kardiovaskulare, dërguar në shërbimin e anatomisë patologjike. Për sytë e një jo profesionisti ato mund të ishin të frikshme.
Pas pesë ditësh qëndrimi në shtëpi gjendja e Pacientit u përmirësua dukshëm dhe ai doli rregullisht në zyrë.
Nexhmija e ka përshkruar kështu atë gjendje:
“Kur në maj të vitit 1981, pas një krize që kaloi Enveri, mjekët kërkonin që të bënin kontroll çdo natë, për të ndjekur efektin e një medikamenti të ri, për të përcaktuar dozën e përshtatshme, unë iu luta Enverit të pranonte; ai u revoltua, por më në fund pranoi të vinte për të biseduar vetëm njëri nga mjekët.
Ata vendosën për Ylli Popën. Enveri iu drejtua këtij pa e fshehur zemërimin dhe i tha: ‘Unë tani jam në shtëpi dhe jo në spital, nuk dua të merrem me doktorë, mos më krijoni psikozën e një të sëmuri. Unë jam mirë. Ajo që ngjau qe një incident. E kuptoj që erdhi si rrjedhim i lodhjes, lodhje dhe emocione që unë nuk mund t’i evitoja, kur kemi përpara plot probleme partie dhe shtetërore, siç qenë ngjarjet në Kosovë, ku vranë e torturojnë vëllezërit tanë.
Pas shumë shpjegimeve elokuente dhe pasi djersiti mirë, dr. Popa, më në fund, fitoi të drejtën që të bëjë kontrollin një natë po, një natë jo gjatë një jave.”
Gati një vit më pas, kur Llambi ishte ende ministër i Shëndetësisë, shkova ta takoja për një çështje pune. Sekretarja, duke e ditur marrëdhënien tonë, nuk e njoftoi. Unë hyra pa trokitur dhe e mbylla derën menjëherë.
Ai qëndronte në karrigen e tij, me kokën të mbështetur në dorën e tij të djathtë, me një vështrim të përhumbur nga dritarja, ndërsa një rreze dielli binte si një njollë e artë në ballin e tij të madh.
Ktheu, kokën me ngadalë dhe m’u hakërrye:
-Do të të marr për zverku e do të të nxjerr me shkelma nga zyra!…
Unë buzëqesha se e kuptova menjëherë se ku e kishte fjalën. Dhe pa pritur ndonjë përgjigje nga unë, vazhdoi me një keqardhje të dukshme:
-Po, pse bre? Mirë ty, po edhe mua?!
Nuk më hiqet nga pamja ajo shprehje e gjendjes së tij të rëndë shpirtërore, sa herë që e kujtoj atë çast. Kishte të drejtë. Unë për Kryeministrin mund të isha një mjek i çfarëdoshëm, por ai ishte anëtar i Qeverisë së tij dhe ishte një gjë krejt e pahijshme të kërcënohej në atë farë mënyre.
Ndoshta Kryeministri u përpoq ta korrigjonte disi kërcënimin që përfshinte edhe atë, kur tha: “Ti të mos vish më te unë për gjendjen e shokut Enver. Ky të vijë. Ky, ministri”.
Por, kjo nuk e kishte ndryshuar efektin e kërcënimit në shpirtin e Llambit. E, për fatin e tij të keq, edhe pse nuk e pësoi nga kërcënimet e asaj nate, e pësoi që e pësoi.
Pas ngjarjes së edemës mushkëriore akute në maj të vitit 1981, duke gjykuar se në shtëpinë e Pacientit mund të arrihej më shpejt nga shtëpia ime sesa nga vendqëndrimi ynë, u bë e nevojshme të sistemoheshim në një vendqëndrim më të afërt.
Kështu, në vjeshtën e atij viti u zhvendosëm prej aty ku ishim dhe u sistemuam brenda në shtëpinë e vjetër, në katin e dytë, në tri dhoma, me pamje nga rruga “Ismail Qemali”.
Ato kishin qenë dhomat e fëmijëve dikur. Dhomat ishin në krye të shkallëve. Prej aty, përmes urës së vogël që e lidhte me shtëpinë e re, kalohej në korridorin e saj të gjerë, prej ku shkohej në dhomën e gjumit dhe në studion e Pacientit.
Dhomat komunikonin me dyer të brendshme. Dhomën e qendrës, me derë që hapej drejt nga shkallët, e bëmë dhomë pune. Aty u vendosën interfonia, telefonat dhe pajisjet e urgjencës. Dhomën nga lindja e bëmë dhomë gjumi dhe dhomën e vogël nga perëndimi, dhomë ngrënieje. Ngjitur me të ishte dhe tualeti. Hapja e shkallëve ishte e rrethuar me parmakë druri. Dera nga perëndimi lidhej me një hapësirë të ndërmjetme të madhe, e cila komunikonte me dhomën e vjetër të gjumit dhe me dhomat e fëmijëve, nga ajo që ne e përdornim si dhomë ngrënieje.
Kjo hapësirë e madhe, diku rreth 5 x 5 ose 6, ishte e mbushur me libra të vendosur në rafte të hapura druri, të rreshtuara si në bibliotekë. Hapësira ku hapeshin shkallët tona, në tri faqet e lira të saj ishte gjithashtu, e mbushur me libra, kryesisht në frëngjisht, italisht dhe ndonjë në anglisht a rusisht. Në vendqëndrimin tonë të ri ne ndiheshim më të qetë. Prej aty për çdo të papritur, ne mund të shkonim në dhomën e gjumit ose në studion e Pacientit brenda rreth 15 sekondash. Gjithashtu, nga ballkoni mund ta ndiqnim atë me sy edhe gjatë shëtitjeve në park ose në rrugë. Ato tri dhoma tani janë përshtatur për kafene. Kjo kafene përfshin edhe të gjitha mjediset e katit të parë: sallën e mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sallonin e pritjes.
Para disa vitesh në një nga dhomat e ish-shtëpisë së Enverit u mbajt një simpozium mjekësor. Në pushim hyra në disa nga mjediset e saj. Salla e madhe e pritjeve në katin e parë qe ndryshuar. Muret ishin të zhveshura nga raftet e librave. Salloni i madh në katin e dytë, ku ishte dhoma e gjumit, gjithashtu, ishte e zhveshur plotësisht. Aty ku më parë ndodheshin raftet me mijëra libra në gjuhën frënge, angleze, italiane dhe në shqip, ashtu si edhe në studion e tij, muret kishin mbetur lakuriq…/BW
Fraksion.com