AktualitetPolitikëTë fundit

Faza e dytë e “Deputeti që duam”; Rama: Vetëm përmes politikës i ndryshojmë gjërat

Ka nisur sot faza e dytë e procesit ‘’Deputeti që duam’’,  në Partinë Socialiste. Sipas socialistëve nga ky proces  do të dalin një pjesë e rëndësishme e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Një skuadër e re gjeneratash të bashkuara me ambicien për Shqipërinë që meritojnë fëmijët tanë dhe kurajon për të ecur më shpejt përpara në rrugën e hapur të transformimit të atdheut tonë”.
Kështu i cilësoi sot kryeministri Edi Rama, të gjithë ata që kanë hyrë në fazën e dytë të përzgjedhjes së anëtarëve më të rinj të skuadrës, që do të fitojë betejën zgjedhore të 25 prillit.
“Duke falënderuar drejtuesen e fondacionit ‘Friedrich Eberet’ për praninë e saj dhe gjithë skuadrën e angazhuar së bashku me fondacionin për të udhëhequr e koordinuar këtë fazë të dytë të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të skuadrës së PS-së për betejën e 25 prillit, i përshëndes dhe falënderoj për këtë hap kurajoz të gjithë ata që e kanë kapërcyer fazën e parë dhe janë këtu me ne. Vajza dhe djem që kanë kurajon dhe pasionin për të bërë atë që shumëkush e konsideron ose një hap të kot ose një hap të gabuar, angazhimin drejtpërdrejt në politikë”, tha Rama.
Natyrisht, vijoi ai, që politika nuk ka munguar asnjëherë, qoftë në këto vite, qoftë më parë, të jap shembuj të këqij, mësime të gabuara, modele të shtrembra dhe të deformuara të të jetuarit në mjedisin shoqëror, por nag ana tjetër politika nuk ka munguar asnjëherë përgjatë gjithë historisë së njerëzimit dhe historisë sonë të tregoj se pa ndryshuar politikën asnjë gjë tjetër nuk ndryshon dot në hapësirën tonë të përbashkët”.
“Politika është një forcë për mirë dhe faktikisht politika ka lindur për të bërë së bashku gjëra, të cilat veç e veç nuk i bëjmë dot. Më vjen jashtëzakonisht mirë që kjo nismë e re e PS-së, që faktikisht materializohet për herë të parë në historinë e re, por edhe jo të varfër në eksperienca të PS-së ka gjetur mbështetje”, tha Rama.
Ai theksoi se ishin rreth 1600 vajza dhe djem, gra e burra, përgjithësisht të një gjenerate të re që kanë hedhur hapin që të shprehin interesin e tyre në mënyrë të guximshme.
“Nga ana tjetër më vjen mirë që në gjithë këtë masë jo të vogël individësh ambicioz nuk ka qenë e lehtë nga ana e grupit që është koordinuar nga Sekretari i Përgjithshëm për të filtruar ata që sot janë këtu për fazën e dytë tanimë”, tha Rama.
Faza e dytë, sipas tij, “është praktikisht konsolidimi i këtij grupi të ri dhe janë 58 emra që përfshihen në listën e atyre që e kanë prezantuar më mirë veten, kanë prezantuar më mirë pse-në e kësaj nisme individuale, kanë prezantuar më mirë edhe fuqinë e ambicies së tyre”.
Por natyrisht, vijoi Rama, “që kjo nuk do të thotë që ata të cilët nuk janë përfshirë në këtë listë janë më pak të talentuar, apo më pak të prerë për tu përfshirë në këtë aktivitet kaq kompleks si përfaqësimi politik, apo që ata që janë përzgjedhur kanë arritur ta shpalosin më së miri vetveten”.

“Kjo është arsyeja pse unë i inkurajoj ata që nuk kanë kaluar fazën e dytë të mos tërhiqen, të mos ligështohen, por të kuptojnë se për ta shpalosur potencialin dhe talentin e tyre për tu marrë me politikë duhet punë, përgatitje, trajnim. Atyre që janë sot këtu dua tu them se trajnimi dhe edukimi i vetvetes me të gjitha ato për të cilat është e nevojshme të jesh i pajisur kur merr përsipër të përfaqësosh e komunikosh me komunitetin është domosdoshmëri gjatë gjithë kohës. Edhe për mua është domosdoshmëri e përditshme për ta ushqyer veten me informacion, lexim dhe të gjitha format përmes së cilave pasurohet njeriu politik dhe përmes të cilave zhdërvjelltësohen të gjitha ato shqisa që bëjnë diferencën në këtë arenë”, shtoi Rama.

Sipas tij, Fondacioni “Friedrich Ebert” dhe PS do të lehtësojnë këtë proces për të gjithë të përzgjedhurit duke ju ofruar një platformë trajnimi, një platformë përmes sprovash në proces dhe në fund të këtij procesi do të përzgjidhen ata që do të jenë pjesë e skuadrës sonë në çdo qark të vendit.

“Patjetër që për ne do të jetë jo vetëm kënaqësi por edhe privilegj që të kemi bashkë në këtë betejë një pjesë prej jush që vini nga të gjitha rrugët e jetës. Që nga Shpresa, një grua sipërmarrëse dhe nënë e 4 fëmijëve, tek Kristi i diplomuar në Gjermani, apo të tjerë jo vetëm nga vendi pot edhe jashtë vendit. Njerëz që kanë punuar në Bankën Europian për Rindërtim e Zhvillim, janë përfshirë në kauzat e mjedisit, apo edhe të tjerë si Briseida që është kthyer në Shqipëri vetëm për këtë sfidë pas një eksperience në Amerikën e Jugut, ku ka vënë hapat e para, dijet e veta dhe është përpjekur të krijojë një eksperiencë për tu admiruar”, tha Rama.

Por, shtoi ai, “nuk do të thotë se emrat që unë solla do të kualifikohen”. “Mund të kisha sjellë edhe plot emra të tjerë me aq sa kam mundur ti shoh të gjitha CV. Janë vërtetë mbresëlënëse, por nga CV, dija dhe eksperienca që ke, tek përfaqësimi publik është një rrugë aspak e lehtë. Mund të dish shumë, të kesh eksperiencë të madhe, të jesh i zoti për të shkruar studime, analiza, hartuar raporte, mund të jesh një këshilltar i shkëlqyer për një deputet, por nuk do të thotë se je i gatshëm të jesh deputet. Ndaj ju inkurajoj që këtë eksperiencë të re trajnimi me ndihmën e Fondacionit dhe gjithë ekspertëve të mbledhur nga disa vende të botës dhe brenda Shqipërisë ta shfrytëzoni maksimalisht. Përpiquni të nxirrni më të mirën prej saj, qoftë edhe për të kapërcyer fazën e dytë dhe për tu bërë pjesë e skuadrës sonë, apo ta keni si eksperiencë në ndërtimin e asaj figure që i duhet gjithsecilit si një qytetar aktiv në përfaqësimin publik”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “të gjithë pa përjashtim, ai ata që janë këtu edhe ata që nuk kaluan në fazën e dytë duhet ta ndiejnë veten pjesë e jona”. “Nuk është një proces i mbyllur vetëm në listën e përfaqësuesve në parlament. Në mandatin tonë të 3-të, ne do të kemi padiskutim prioritet, siç e kemi pasur, përfshirjen e sa më shumë të rinjve në të gjitha nivelet e qeverisjes, dhënien e sa më shumë përgjegjësie. Ndaj forca, me vullnet, këmbëngulje, pasion, pa u dorëzuar. Elementi subjektiv është i pashmangshëm. Nuk është aritmetikë apo shkencë, është perceptim. Është të jesh në formë në atë moment, kush nuk është në formë nuk duhet të ligështohet. Shembuj historia ka plot. Njerëz që janë skualifikuar në momentin e fillimit të karrierave të tyre fantastike nga komisione apo konkurse dhe pastaj kanë lulëzuar dhe kanë lënë emrin e tyre në histori. Të gjithë duhet të ndjeheni pjesë e këtij suksesi të përbashkët për të cilin jemi mbledhur këtu sot”, tha Rama.

 

Fraksion.com