Biden emëron diplomatin William Burns në krye të CIA-s
Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden emëroi ish-diplomatin e karrierës William Burns për të drejtuar CIA-n ndërkohë që demokratët përpiqen të kenë gati një ekip të sigurisë kombëtare disa ditë para inaugurimit.
Burns, i cili flet arabisht dhe rusisht, ka qenë ambasador në Moskë nga viti 2005 në 2008 dhe ka drejtuar bisedimet sekrete që hapën rrugën për marrëveshjen bërthamore me Iranin në vitin 2015 nën ish Presidentin demokrat Barack Obama.
Administrata Biden do të ishte e gatshme të ringjallte marrëveshjen bërthamore të refuzuar nga Presidenti Donald Trump dhe për të ndëshkuar Presidentin rus Vladimir Putin për sulmin kibernetik ndaj agjencive qeveritare amerikane vitin e kaluar. Kremlini e ka mohuar përgjegjësinë për sulmin.
Zoti Burns, president i Fondacionit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare prej gati pesë vjetësh, do të drejtojë gjithashtu një agjenci që këshillon zotin Biden se në cilat fusha mund të bashkëpunojë me Kinën dhe në cilat të përballet me këtë fuqi botërore në rritje.
Zoti Burns i ngjiti shkallët e karrierës përmes trupit diplomatik dhe shërbeu si ambasador në Jordani nën ish-Presidentin Bill Clinton dhe ambasador në Rusi nën ish-Presidentin, George W. Bush.
Diplomati 64-vjeçar u emërua nënsekretar i shtetit në vitin 2011 nga Presidenti Barack Obama para se të dilte në pension në 2014.
“Bill Burns është një diplomat shembullor me një përvojë që shtrihet dekada të tëra në skenën botërore, për ta mbajtur të sigurt popullin dhe vendin tonë,” tha zoti Biden në një deklaratë, kur njoftoi emërimin e zotit Burns në krye të Agjencisë Qendrore të Zbulimit.
“Me përvojën e tij dypartiake, zoti Burns do të sjellë një qasje dhe këndvështrim apolitik për zbulimin,” tha ai.
Zoti Biden, i cili është zotua se do të emëronte një ekip zyrtarësh të sprovuar, të gatshëm për të nisur punën që në ditën e parë, nuk ka gjasa të ketë një ekip të kompletuar të sigurisë kombëtare kur të marrë detyrën në 20 janar për shkak të procesit kaotik të transferimit të pushtetit. Presidenti Trump e kontestoi fitoren e zotit Biden në zgjedhjet e nëntorit me pretendime të pabaza për mashtrim të votuesve dhe e vonoi tranzicionin normal.
Për të marrë detyrën, zoti Burns duhet të konfirmohet nga Senati, ku demokratët e zotit Biden do të kenë së shpejti një shumicë fare të vogël.
William Burns ka qenë konfirmuar nga Senati për pesë poste të mëparshme gjatë 33 vjetëve dhe ka ushtruar detyra të ndërlikuara dhe politikisht të rrezikshme, të tilla si drejtimi i sektorit për Lindjen e Mesme në Departamentin e Shtetit gjatë ndërhyrjes amerikane në Irak në vitin 2003, por pa shkaktuar shumë polemika për atë si person.
“Burns do të sjellë një rol të ri udhëheqës në një CIA që është lënë mënjanë gjatë viteve të Presidentit Trump”, tha Sir John Sawers, ish-kreu i Shërbimit të Inteligjencës Sekrete Britanike, MI6.
Demokratët që do të kryesojnë komisionet e zbulimit të Kongresit e mirëpritën emërimin e zotit Burns.
“Si një diplomat karriere nën presidentë demokratë dhe republikanë, ai e ka pozicionuar veten si një nëpunës publik të zgjuar dhe të sprovuar, i pandikuar nga ndërhyrjet politike,” tha kryetari i ardhshëm i komisionit të inteligjencës të Senatit, Mark Warner.
“Unë besoj se vendi ynë do të jetë më i sigurt dhe më i përgatitur për t’u përballur me kërcënimet me të cilat ndeshemi falë shërbimit të tij”, tha kryetari i komisionit të inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve Adam Schiff.
Megjithatë, një burim nga Kongresi tha se zoti Burns ka të ngjarë të përballet me pyetje në lidhje me programin bërthamor të Iranit dhe sulmin e vitit 2012 ndaj objekteve diplomatike të SHBA në Bengazi të Libisë, në të cilin u vranë dy diplomatë amerikanë dhe dy kontraktorë të CIA-s. Në atë kohë zoti Burns ishte zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Presidenti i Zgjedhur Biden u ka bërë thirrje ligjvënësve të konfirmojnë ekipin e tij të sigurisë kombëtare sa shpejt që të jetë e mundur pas inaugurimit të tij. Por përpjekjet e kësaj jave nga demokratët e Kongresit për të ngritur akuza kundër zotit Trump pas sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar nga mbështetësit e tij, mund t’i vonojë emërimet.
Zotit Biden iu deshën disa muaj për të vendosur se cilin do të zgjidhje në krye të CIA-s. Një pretendent i hershëm, ish-zëvendës drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit Michael Morell, u përball me kundërshtime, pasi kishte mbështetur përdorimin e sulmeve me dronë dhe të torturave pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori Burns ka marrë tre Çmime presidenciale për Shërbim të Shquar dhe nderimet më të larta civile nga Pentagoni dhe komuniteti i zbulimit amerikan.
Ai është diplomuar për histori në Universitetin LaSalle në Filadelfia dhe ka një master dhe një doktoraturë për marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti i Oksfordit./VOA
Fraksion.com