AktualitetTë fundit

Peleshi inspekton situatën në Obot të Shkodrës: Reshjet do të shtohen, po bëhet menaxhim i mirë i kaskadës

“Kemi 260 trupa speciale vetëm nga FA, të specializuar në gatishmëri. Kemi mbi 1200 trupa të angazhuara”, deklaroi sot Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ndërsa ka inspektuar sot situatën në Obot të Shkodrës nga ku tha se reshjet do të shtohen dhe po bëhet menaxhim i mirë i kaskadës.

Nga Oboti i Shkodrës, teksa inspektoi punën e bërë për përmirësimin e situatës së përmbytjeve, Peleshi tha se të gjitha forcat janë në gatishmëri.

Ministri bëri të ditur se është bërë një menaxhim i mirë i kaskadës së Drinit, gjë që mund të parandalojë rëndimin e situatës nga shtimi i reshjeve në vijim.

“Kam marrë një informacion që këtu në Obot, njësia Administrative Ana e Malit, për sa i përket sipërfaqes, nuk kemi tërheqje të ujërave, sepse e tillë është natyra, jemi në një sipërfaqe nën nivel, por është pozitive që kemi një ulje të lehtë të nivelit disa centimetra dhe era që po fryn po e përshpejton çuarjen e ujërave drejt detit. Kemi gjithashtu një pozitivitet tjetër për sa i përket reshjeve, siç e shikoni nuk ka reshje në gjithë vendin, kjo ka bërë që situata në Lezhë të jetë shumë e përmirësuar, por këtu do të shkojë disi më ngadalë drejt përmirësimit. E rëndësishme është të mos kemi përmbytje në Fushën e Bushatit dhe gjasat janë që do të arrijmë ta evitojmë. Pavarësisht se reshjet do të shtohen sot dhe sidomos pasnesër në datën 11, por po bëhet një menaxhim shumë i mirë i kaskadës”, tha ai.

“Fierza po punon për të mbyllur dhe ka akoma rreth 10 metra rezervë për tu mbushur. Nuk besojmë se do arrijmë në pika kritike deri kur do të jetë intensiteti normal i reshjeve. Edhe në Vaun e Dejës ka shkarkime normale, shpresojmë që nuk do të përkeqësohet situata. Sa i takon njeriut, jemi të gjithë në gatishmëri”, tha ministri.

Në vijim, Peleshi shtoi se Drejtori i Emergjencave Civili ka qenë gjatë gjithë ditës dje, sot dhe do të jetë në gjithë ditët në vazhdim në terren.

“Ne do të jemi prezent për të ndihmuar shtabet pranë bashkive, institucionin e perfektit të cilin dua ta përgëzoj ka bërë një punë shumë të mirë koordinative. Janë 10 tra trupa të FA, të Komandës Mbështetëse prezente aktualisht dhe qindra të tjerë janë në dispozicion. Sic e shihni këtu është i domosdoshëm mjeti për komunikimin me fshatin i cili e ka ndërprerë rrugën për shkak të përmbytjes, por ne kemi siguruar aksesin e banorëve të fshatit përmes mjeteve tona të FA. Janë marr të gjitha masat dhe shpresoj se do të menaxhohet shumë mirë, kemi rezultate të mira krahasuar me vitet e kaluara për të njëjtën sasi prurjesh. Nëse dëshironi një shifër ditën e djeshme prurjet në hidrocentrale kanë qenë rreth 4200m 3/sec dhe kemi situatën që ju shihni. Ndërkohë para 10 vitesh është përmbytur pothuajse gjithë Shkodra për prurje pothuajse sa gjysma e këtyre. Rreth 2500m 3/sec kanë qenë prurjet kur është përmbushur gjithë Bushati dhe ka qenë periudha dramatike për përmbytjeve”, tha ministri Peleshi.

“Dje kemi pasur dy- tre ngjarje evakuimi në Lezhë. Një në qytet dhe dy në zonat e përmbytura, zonë rurale. Edhe në Shkodër kemi patur disa evakuime. Kemi 260 trupa speciale vetëm nga FA, të specializuar në gatishmëri. Kemi mbi 1200 trupa të angazhuara. Kemi rritur gatishmërinë, kemi kaluar një nivel më lartë, pra kemi dyfishuar gatishmërinë që para 3 ditësh, gjithashtu në rast se flasim në nivel kombëtarë të gjitha bashkitë kanë angazhuar dhe mobilizuar 1500 trupa të gatshëm. Kuptohet këto shifra janë për një skenarë që jo vetëm nuk e urojmë por nuk e besojmë se do të ndodh”, tha ai.

 

Fraksion.com