Moti i keq dhe shirat; Riparohet difekti në tubacionin e ujësjellësit të Bogovës. Fillon furnizimi me ujë në Berat
Është rikthyer furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e Beratit, pas një problemi në tubacionin e ujësjellësit të Bogovës.
Puna e pandërprerë e punonjësve të sh.a.Ujësjellës-Kanalizime Berat bëri të mundur rikthimin e ujit të pijshëm në çesmat e familjeve beratase e kuçovare. Ishte pikërisht moti i keq dhe reshjet e pandërprera të shiut që sollën mëngjesin e sotëm rrëshqitjen e masiveve të dheut në zonën e Kakrukës, ku ndodhet edhe ky tubacion, duke bërë çarjen e tij.
Dëmtimi i ujësjellësit në disa segmente u riparua pas një punë të pandërprerë të specialistëve, edhe pse terreni ishte tejet i vështirë.
20:00 – Banorët e Beratit, Bogovës, Poliçanit dhe Kuçovës qëndruan pa ujë të pijshëm që prej mëngjesit të sotëm. Inxhinierët punuan për riparimin e defektit
Moti i keq dhe reshjet e pandërprera të shiut, kanë bërë që masive dheu të bien dhe të dëmtojnë tubacionin kryesor të ujësjellësit të Bogovës. Gazetarja Eneia Petova raporton për “Balkanweb” se ky tubacion furnizon me ujin e pijshëm banorët e 3 qyteteve: Berat, Poliçan dhe Kuçovë.
Sipas informacioneve nga bashkitë përkatëse, mësohet se tubacioni kryesor i këtij ujësjellësi është dëmtuar në disa segmente të tij. Në zonën ku edhe është dëmtuar tubacioni, në fshatin Kakruk, kanë shkuar punonjësit e ndërmarrjes së sh.a.Ujësjellës-Kanalizimeve Berat, që janë duke punuar për riparimin e defektit që ka lënë pa ujë 3 qytete.
E, ndërsa punonjësit e kësaj drejtorie janë duke punuar pa ndërprerje për të riparuar tubacionin e çarë, në fshatin Plirëz të Poliçanit, një tjetër çarje ka ndodhur në tubacionin e ujit të pijshëm, si pasojë e shkarjeve të dheut në këtë zonë.
Pozicioni në të cilit ndodhet tubacioni i Bogovës e bën atë gjithmonë të riskuar nga çarjet dhe dëmtimet pasi reshjet shkarkojnë mbi të masive dheu.
Burimet zyrtare pranë sh.a.Ujësjellës-Kanalizime Berat bëjnë me dije se, puna nuk do të ndërpritet deri në riparimin e tubacionit, edhe pse reshjet e dendura të shiut e vështirësojnë edhe më tepër punën e inxhinierëve.
Ujësjellës i Bogovës është ndërtuar 30-vite më parë dhe shtrihet përgjatë rrëzës së kodrave të zonës së Skraparit, ku terreni është tepër i vështirë. Gjatë stinës së dimrit, rrëshqitjet e masivëve të dheut e shkëmbinjve kanë sjellë çdo vit dëmtime serioze në tubacionin kryesor të ujit të pijshëm.