Xhaçka, takim virtual me komisionerin Varhelyi: Shqipëria i ka përmbushur detyrat përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zhvilloi këtë të premte një takim virtual me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Ministrja Xhaçka vlerësoi rolin e Komisionerit Varhelyi në dosjen e zgjerimit, si dhe në atë të ndihmës nga Komisioni Europian për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pasojave të pandemisë në Shqipëri gjatë 2020-ës. Ministrja Xhaçka vlerësoi edhe propozimin e Komisionit për Planin Ekonomik e të Investimeve për rajonin e Ballkanit Perëndimor, të propozuar ne tetor 2020.
Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria i ka përmbushur detyrat e saj përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare duke informuar Komisionerin për përmbushjen e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese dhe zbatimin e reformës elektorale në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Ministrja Xhaçka vlerësoi si historik vendimin pozitiv të Këshillit të marsit 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe kërkoi që gjatë vitit 2021, të bëhet e mundur miratimi i kornizës negociuese për Shqipërinë dhe mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare sa më parë.
Edhe Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi u shpreh se zhvilloi një bisedë e mirë me ministren Xhaçka.
“Unë e përgëzova atë për emërimin dhe diskutova për progresin e Shqipërisë në axhendën dhe perspektivën e BE-së për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ne folëm për luftën kundër COVID-19. BE qëndron pranë Ballkanit Perëndimor. Unë shoh një bashkëpunim të frytshëm”, u shpreh ai.
Më herët gjatë ditës, ministrja Xhaçka u takua me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, të cilin e falenderoi për mbështetjen e Delagacionit dhe të tijën personale për tërmetin, pandemin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë.
Fraksion.com