SHBA hap hetim kriminal për sulmin ndaj Kapitolit
Autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit kanë hapur një hetim penal për sulmin e së mërkurës ndaj Kapitolit nga protestuesit pro-Trump, duke rekrutuar qindra hetues për të identifikuar dhe arrestuar autorët, njoftuan zyrtarët të enjten.
Prokurori në detyrë i Distriktit të Kolumbias tha se ndaj 15 personave janë ngritur akuza në gjykatën federale në Uashington në lidhje me trazirat, ndërsa ndaj 40 të tjerëve në gjykatën e lartë të Uashingtonit për përfshirjen në trazirat e së mërkurës në Kapitol. Shumica e tyre akuzohen për hyrje të paligjshme në kompleksin e Kongresit, tha prokurori Sherwin.
Akuzat federale përfshijnë vjedhje të pronës së qeverisë dhe shkelje të ligjit të armëmbajtjes. Një burrë u arrestua pranë Kapitolit nën akuzat për mbajtje të një arme gjysmë-automatike dhe 11 bombave molotov që ishin “të gatshme për përdorim”, tha prokurori Sherwin.
Gjatë sulmit në Kapitol katër persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë u plagosën.
Prokurori Michael Sherwin tha se arrestimet shënojnë fillimin e një përpjekje disa mujore për të sjellë autorët e krimeve para drejtësisë.
“Kjo ishte padyshim një situatë shumë e rrezikshme“, tha prokurori Sherwin. “Ne jemi duke u përpjekur në mënyrë agresive t’i trajtojmë këto raste sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe të mos bëjmë asnjë gabim në lidhje me të, edhe pse deri më tani kemi përgatitur vetëm 15 raste, mendoj se ky është një fillim i mirë, por nuk është fundi i përpjekjeve tona.”
Numri i madh i akuzave brenda 36 orëve, që pritet të rritet më tej në ditët në vijim, nënvizon agresivitetin me të cilin prokurorët po e trajtojnë hetimin.
Zoti Sherwin paralajmëroi se duke marrë parasysh se Policia e Kapitolit lejoi shumicën e njerëzve të largoheshin nga kompleksi i Kongresit, përpjekja për të identifikuar dhe arrestuar autorët mund të zgjasë me muaj, ndoshta gjatë gjithë vitit.
Ai tha se qindra hetues po analizojnë pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe ato të publikuara në mediat sociale për të identifikuar autorët.
“Ne do të ngrejmë akuza në mënyrë agresive për këto raste“, tha zoti Sherwin.
Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Jeffrey Rosen tha se Departamenti i Drejtësisë “është i përkushtuar të sigurohet që ata që janë përgjegjës për këtë sulm ndaj qeverisë sonë dhe sundimit të ligjit të përballen me pasojat e plota ligjore për veprimet e tyre”.
“Prokurorët tanë kanë punuar gjatë gjithë natës me agjentë specialë dhe hetues nga Policia e Kapitolit, FBI, ATF, Departamenti i Policisë Metropolitane dhe publiku për të mbledhur provat, për të identifikuar autorët dhe për të ngritur akuza për krimet federale në raste kur kjo do të jetë e nevojshme“, tha prokurori Rosen në një deklaratë të lëshuar të enjten.
Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha se FBI-ja ka “dislokuar burimet tona të plota hetimore” për të ngritura akuza ndaj atyre që janë përfshirë në sulmin ndaj Kapitolit.
“Me ndihmën e partnerëve tanë, ne do t’i mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në sulmin e djeshëm (të së mërkurës) në Kapitol“, thuhet në deklaratën e zotit Wray.
Sulmi, i cilësuar nga Prokurori i Përgjithshëm Rosen si “një sulm i patolerueshëm ndaj një institucioni themelor të demokracisë”, filloi me qindra mbështetës të Presidentit Donald Trump që vërshuan drejt Kapitolit, ndërsa anëtarët e Kongresit po mblidheshin në një seancë të përbashkët për të certifikuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Në një video-mesazh të publikuar të enjten mbrëma në Twitter, Presidenti Trump foli për “sulmin e rëndë ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara”, duke thënë se ai ishte “i zemëruar nga dhuna dhe shkelja e ligjit dhe rendit”.
Presidenti Trump është dënuar gjerësisht për nxitjen e dhunës, pasu u kërkoi mbështetësve të zemëruar nga humbja e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, që të marshonin drejt Kapitolit. Në një kritikë të rrallë, ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr, një aleat i vendosur i Presidentit Trump kur ishte në detyrë, tha në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Associated Press se sjellja e Presidentit “ishte një tradhti ndaj zyrës (së Presidentit) dhe mbështetësve të tij”.
I pyetur nëse prokurorët federalë po hetonin edhe rolin e Presidentit Trump në veprimet e dhunshme të së mërkurës në Uashington, prokurori Sherwin tha, “Ne po shikojmë të gjithë aktorët dhe këdo që ka patur rol (në trazirat në Uashington) dhe provat që përshtaten me elementët e një krimi, ata do të akuzohen”.
Roli i policisë
Trazirat përfunduan ndërsa oficerë nga më shumë se 18 agjenci të zbatimit të ligjit dhe Garda Kombëtare u dislokuan në qytet. Por një pyetje kryesore në lidhje me incidentin mbeti kryesisht pa përgjigje: Pse forcat e policisë që mbronin Kapitolin nuk ishin në gjendje të pengonin hyrjen e protestuesve në ndërtesë? Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se ndërsa ishin të përgatitur për një protestë masive, ata u zunë në befasi nga ajo që ndodhi.
“(Policia e Kapitolit) kishte një plan të fortë për të trajtuar aktivitetet e mbrojtura nga Amandamenti i Parë (i kushtetutës). Por, këto trazira masive nuk ishin aktivitete të Amendamentit të Parë; ato ishin sjellje kriminale“, tha Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund në një deklaratë të lëshuar të enjten.
Zoti Sund mbrojti oficerët e tij, duke thënë se “mijëra individë” ishin të përfshirë “në veprime të dhunshme të trazirave”, duke sulmuar oficerët e zbatimit të ligjit me shufra hekuri, substanca kimike dhe armë të tjera. Më shumë se 50 policë të Kapitolit dhe të qytetit të Uashingtonit u plagosën, dhe disa prej tyre u dërguan për trajtime mjekësore në spital.
Policia e Kapitolit gjithashtu është përballur me pyetje në lidhje me dështimin e tyre për të ndaluar njerëzit madje edhe kur ata po thyenin dritaret dhe hynin nëpër zyra, duke vjedhur dokumente dhe materiale qeveritare.
Një zëdhënës më vonë tha se Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund dha dorëheqjen.
Prokurori Michael Sherwin tha se dështimi i Policisë së Kapitolit e ka bërë më të vështirë punën e hetuesve federalë për të gjetur dhe arrestuar autorët e sulmit në Kapitol.
Shumë prej tyre lanë pas prova inkriminuese në formën e videove dhe fotografive të postuara në mediat sociale. Një mbështetës i grupit QAnon u fotografua në sallën e Senatit. Një tjetër mbështetës i Presidentit Trump u fotografua në zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se ata po analizojnë videot e regjistruara nga kamerat e sigurisë dhe imazhet e postuara në mediat sociale për të identifikuar autorët. FBI-ja i ka bërë thirrje publikut që të ndajë “informacione dhe të dhëna nga media sociale që përshkruajnë trazirat ose dhunën”.
Jordan Strauss, një ish-prokuror federal që tani është drejtor menaxhues në firmën e sigurisë Kroll, tha se videot dhe fotografitë ofrojnë “prova me bollëk” që prokurorët mund të përdorin për të ngritur akuza.
“Shumë njerëz i transmetuan drejtpërdrejt krimet e tyre ndërsa ishin duke i kryer ato”, tha zoti Strauss.
Akuza të mundshme
Pjesëmarrësit në trazirat e së mërkurës në Kapitol mund të përballen me disa akuza federale, si shkatërrimi i pronës, kërcënimi i anëtarëve të Kongresit dhe kryengritje, tha zoti Strauss. Prokurori Michael Sherwin tha se asnjë akuzë, përfshirë edhe atë për kryengritje, nuk do të përjashtohet nga ky hetim.
Kryengritja është akti i kundërshtimit të autoritetit qeveritar me forcë. Në një memorandum për prokurorët federal verën e kaluar, ish Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka përmendur mundësinë e ngritjes së akuzave për kryengritje ndaj atyre që protestonin kundër policisë gjatë atyre muajve.
Eksperti i sigurisë Jordan Strauss tha se prokurorët me gjasë do të zgjedhin akuza “më të pastra” që nuk “rrezikojnë shkeljen e të drejtave të mbrojtura nga Amandamenti i Parë (i Kushtetutës) ose lejimin e një individi që të pretendojë se ekziston një lloj ndjekjeje politike”.
Joel Hirschhorn, një avokat mbrojtjes, tha se arrestimi dhe ngritja e akuzave ndaj çdo protestuesi do të jetë praktikisht i pamundur.
“Unë mendoj se kushdo që ishte brenda ndërtesës së Kapitolit është në rrezik sepse kjo ishte një hyrje e paligjshme në pronën qeveritare“, tha zoti Hirschhorn. “A do të jenë ata në gjendje të ndjekin penalisht të gjithë? Jo, kjo është e pamundur”, tha ai./VOA
Fraksion.com