AktualitetTë fundit

Reshjet; Çuçi: Policia, shërbime të shtuara në të gjitha zonat me risk

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit, në disa qarqe të vendit është krijuar një situatë problematike.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh pasditen e sotme se Policia e Shtetit, njësoj si strukturat e tjera të emergjencave, është në terren dhe me shërbime të shtuara në të gjitha zonat me risk, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Çuçi informoi se në nivel të qeverisjes vendore, pranë bashkive dhe prefekturave, janë ngritur shtabet e emergjencave për të koordinuar të gjithë menaxhimin e kësaj situate.
“Në rast evakuimi në zona të caktuara dhe kurdo që t’ju nevojitet ndihmë, kontaktoni me Policinë e Shtetit, e cila është dhe do të jetë në gatishmëri të plotë”, apeloi ministri.
“Bashkë me të gjithë strukturat e tjera të emergjencave po monitorojmë situatën në çdo zonë dhe do të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të përballuar gjendjen e krijuar”, përfundoi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë sjellë situata problematike në disa bashki, ku ka pasur prurje të shtuara të lumenjve dhe dalje të ujit në toka bujqësore.
Fraksion.com