Niset kontingjenti i 8-të në misionin e NATO-s në Letoni, Peleshi: I bindur për profesionalizmin e ushtarakëve tanë
Një togë nga kompania e Asgjësimit të Mjeteve Shpërthyese (EOD) u nis për në misionin e NATO-s në Letoni, ku do vijojë të shërbejë si pjesë e grup-batalionit të udhëhequr nga Forcat e Armatosura kanadeze.
Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit të radhës mori pjesë edhe ministri i ri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begaj dhe komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku.
Në fjalën e tij ministri Peleshi u shprehu kënaqësinë që takimin e parë me efektivët e FA e bëri me trupat që do të shërbejnë në një mision ndërkombëtar.
Më tej, Peleshi theksoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe vlerësoi përgatitjen dhe profesionalizmin e trupave shqiptarë për të shërbyer në misione të tilla. “Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës. Jam i bindur se me përgatitjen, përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj ju do të përmbushni me dinjitet dhe korrektesë të gjitha detyrat duke kontribuar në këtë mënyrë në suksesin e Aleancës.”- u shpreh ai.
Ministri Peleshi nuk harroi të falënderojë mbështetësit kryesorë të kompanisë EOD dhe familjarët e efektivëve që u nisën në mision. “Një falenderim i veçantë shkon për aleatin tonë strategjik, SHBA,për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapacitetit të rëndësishëm të Pajisjeve dhe Municioneve Shpërthyese.Dëshiroj të falenderoj fëmijët, bashkëshortet, prindërit dhe familjarët tuaj për mbështetjen e përhershme dhe të pakursyer që ju kanë dhënë”- iu drejtua ai trupave të rreshtuar, të cilët i siguroi për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në përfundim, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontingjentit major Eduart Kaloshi.
Kontingjenti i 8-të EOD përbëhet nga 21 ushtarakë të mirë trajnuar për asgjësimin e municioneve të rrezikshme dhe do të shërbejë për rreth 6 muaj në Camp Adazi.
Grup-batalioni i NATO-s në Letoni përbëhet nga mbi 1 mijë trupa nga Shqipëria, Kanadaja, Republika Çeke, Islanda, Italia, Mali i Zi, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja.Batalioni ka mision parandalimin, dhe nëse është e nevojshme, mbrojtjen e Letonisë nga çdo agresion i mundshëm.
Fraksion.com