AktualitetTë fundit

“Ka bërë shkelje të rënda profesionale”; KLGJ shtynë vendimin për gjyqtaren Enkelejda Hoxha

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur shtyrjen e seancës së dhënies së vendimit për gjyqtaren Enkelejda Hoxha, për të cilën kërkohet shkarkimi nga posti që mban, për shkelje të rënda profesionale.

Kërkesa për shkarkimin e Hoxhës është bërë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, i cili ka qenë i pranishëm edhe sot në seancën që u mbajt në KLGJ.

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani asistoi sot në seancën dëgjimore në Këshillin e Lartë Gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës për masën disiplinore “shkarkim nga detyra” për magjistraten E.H.me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani u shpreh dakord me kërkesën e magjistrates E.H. e cila i kërkoi kohë KLGJ-së për të përgatitur parashtresat e saj për raportin hetimor të paraqitur nga ILD. Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e magjistrates Enkelejda Hoxha. dhe caktoi seancën e radhës dëgjimore më 29 Janar ora 11.00″, thuhet në njoftimin e ILD-së.

Gjyqtarja Hoxha, u bë pjesë e një debati publik pasi firmosi lirimin nga qelia, janarin e shkuar të Indrit Dokles, i dënuar me burgim të përjetshëm, si anëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje, plagosje dhe krime të tjera. Po ashtu, gjyqtarja Hoxha, ka firmosur edhe lirimin e Dokles, në nëntor të 2017-ës, ajo liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar. Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Paja u lirua disa ditë pas Tafilit.

 

Fraksion.com