Haradinaj refuzon të paraqitet para Dhomave të Specializuara
Në seancën që u mbajt të premten në Hagë, pala mbrojtëse e Haradinajt tha se ai nuk do të marrë pjesë në këtë seancë “si protestë për mënyrën se si është trajtuar”.
Me këtë rast, gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, tha se ai do të bëjë deklarim të pafajësisë në emër të Haradinajt “në të gjitha pikat e aktakuzës”.
Pas kësaj, pranë Dhomave të Specializuara u mbajt konferenca statusore në rastin e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit. Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.
Nga Prokuroria e Specializuara thanë se ata kanë tri paketa me materiale për këtë çështje, duke shtuar se pasi aktakuza është konfirmuar në dhjetor, mbrojtja ka mundur që të nisë përgatitjet. Prokuroria tha se 19 shkurti mund të jetë afati për nxjerrjen e materialeve të sekuestruara. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se nuk pret se nga nxjerrja e materialeve të jetë voluminoze.
Prokuroria kërkon që gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinaj të nisë në pranverë të këtij viti, ndërkaq, mbrojtja ka kërkuar që të nisë në verë apo në mes të verës.
Avokatët mbrojtës po ashtu kanë kërkuar që t’u jepen materialet e sekuestruara gjatë arrestimit të Gucatit dhe Haradinajt. Ata kanë thënë se nëse Prokuroria refuzon ta bëjë një gjë të tillë, duhet të tregojë se nëse materialet përmbajnë informacion të mbrojtur ose jo.
Fraksion.com