“Arrestohen policë e zyrtarë”; Policia jep detaje nga aksioni në Skrapar: Si funksiononte grupi kriminal
Policia e Shtetit jep detaje nga megaopracioni antikanabis i zhvilluar në Skrapar, ku sipas uniformave blu, janë ekzekutuar 22 masa sigurie.
Sipas policisë, hetimi ka zgjatur për një periudhë 7-mujore, ku të përfshirë në këtë aktivitet kriminal kanë qenë disa punonjës policie dhe funksionarë publikë.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar gjithsej 5045 bimë narkotike të llojit cannabis sativa, si dhe 176 kg lëndë narkotike e paketuar në gjendje të thatë, e gatshme për t’u trafikuar
Njoftimi i plotë:
Finalizohet pas 7 muajsh hetime, megaoperacioni antikanabis i koduar “Gjergjova”.
Ekzekutohen 22 masa sigurie, nga këto: 15 masa sigurie “Arrest në burg”, 4 masa sigurie “Arrest në shtëpi”, 3 masa “Detyrim paraqitjeje”, si dhe është shpallur në kërkim 1 person që nuk u gjet në banesë gjatë operacionit.
Operacioni i nisur prej muajit qershor 2020 nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe SHÇBA, nën drejtimin e SPAK-ut, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë periudhës 7-mujore janë realizuar dhe dy operacione të tjera, të koduara “Rehova” dhe “Kanioni”, në kuadër të hetimeve të nisura nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Nga hetimet e kryera nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Policia Gjyqësore në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë administruar prova nga të cilat ka rezultuar se një grup personash, të cilët vepronin në zonën e Skraparit, kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu janë dokumentuar veprime të kundërligjshme të kryera nga disa punonjës të Komisariatit të Policisë Skrapar, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, konkretisht punonjësit e policisë N. N. (Shef i Stacionit të Policisë Poliçan), K. Z., B. Ç., A. D. me detyrë punonjës policie, si dhe funksionarët publik, shtetasi E. Z. me detyrë administrator i Njësisë Administrative Tërpan, F. L., me funksion kryeplak i fshatit Çorrogjaf, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin, sipas funksioneve dhe roleve, me veprime dhe mosveprime, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në territorin ku ushtrojnë detyrat funksionale dhe kompetencat, si dhe kanë favorizuar autorët që kanë kryer kultivimin e bimëve narkotike.
Nga hetimet e kryera, si përgjimet telefonike dhe vëzhgimet e kryera nga policia gjyqësore, rezulton se në territorin e rrethit të Skraparit ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa në parcela dhe vende të ndryshme, pothuajse në gjithë këtë territor. Janë dokumentuar disa episode të sekuestrimeve të lëndëve narkotike dhe personat e dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Janë dokumentuar dhe sekuestruar lëndë narkotike e llojit cannabis sativa në 28 episode, në të cilat ishin ngritur impiante vaditjeje, vend qëndrimi dhe vendstrehime për punonjësit që punonin në këto parcela dhe gjithë infrastruktura e nevojshme për këtë aktivitet kriminal.
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë sekuestruar gjithsej 5045 bimë narkotike të llojit cannabis sativa, si dhe janë sekuestruar 176 kg lëndë narkotike e paketuar në gjendje të thatë, e gatshme për t’u trafikuar. Gjithashtu janë evidentuar edhe disa magazina të përshtatura për tharjen dhe ruajtjen e lëndës narkotike.
Bazuar në provat e grumbulluara, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal për shtetasit e përfshirë në kite aktivitet kriminal.
Ditën e sotme u finalizua megaoperacioni “Gjergjova”, i zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Qendrore, SHÇBA, Drejtoria Vendore e Policisë Berat, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe FNSH, koordinuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut. Si rezultat u bë ekzekutimi i urdhrave të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:
A. L., S. D., A. B., F. B., S. K., E. K., Z. Zh., I. B., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal” dhe ”Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”;
O. D., E. D., A. S., R. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe K. Z., B. Ç., A. D. (punonjës policie), të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Masë sigurimi “Detyrim paraqitjeje” për shtetasit F. D., E. M., I. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
Masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasit: A. B., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe N. N., E. Z. dhe F. L., të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit T. D., për të cilin Gjykata ka vendosur masën “Arrest në burg, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij grupi të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar pa asnjë hezitim, çdo tentativë për kultivim apo trafikim të lëndëve narkotike, krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, çdo tentativë për shpërdorim detyre apo sjellje të pahijshme të punonjësve të Policisë, duke garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë e të paanshëm.
Fraksion.com