Protesta para parlamenteve të disa shteteve amerikane
Mbështetësit e Presidentit Donald Trump organizuan tubime të mërkurën përpara parlamenteve të shteteve të tyre, ndër to në Atlanta, Denver, Phoenix dhe Salt Lake City që përkuan me sulmet ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në Uashington, thanë mediat lokale.
Protestuesit u futën në parlamentin e shtetit Kansas në Topeka dhe u mblodhën brenda katit të parë të Kapitolit, megjithëse tubimi vazhdoi i rregullt, njoftoi stacioni televiziv KSNT.
Nuk pati raportime të menjëhershme për dhunë, megjithë demonstratat e shumta të protestuesve pro-Trump që u bënë jehonë pretendimeve të tij të pabazuara se iu grabit fitorja për shkak të manipulimit elektoral.
Kryebashkiaku i Denver-it, Michael Hancock, tha në Twitter se kishte udhëzuar agjensitë e qytetit të mbyllnin zyrat herët në kryeqytetin e shtetit të Kolorados si një masë sigurie, pasi rreth 700 demonstrues u mblodhën në godinën e parlamentit të shtetit në qendër të qytetit.
“Shpresa ime është që kjo situatë të zgjidhet shpejt. Lutuni për kombin tonë”, shkruajti ai në Twitter.
Një kompleks i madh i gjykatave dhe dy ndërtesa të tjera qeveritare në Atlanta, kryeqyteti i Xhorxhias, u urdhëruan gjithashtu të mbyllen për shkak të protestave pranë parlamentit të këtij shteti.
Midis atyre të cilëve iu ndryshuan rutinat e përditshme ishin ndihmësit e sekretarit të shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, zyrtari republikan i zgjedhjeve të cilit i bëri presion Presidenti Trump gjatë një telefonate në fundjavë për të “gjetur” vota të mjaftueshme shtesë në favor të presidentit, për të përmbysur fitoren e nëntorit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili pritet të marrë detyrën brenda dy javësh.
Zëdhënësi i zotit Raffensperger, Walter Jones, tha se stafi u largua nga zyrat pas pushimit të drekës si masë sigurie për shkak të protestave. Ai tha se zoti Raffensperger nuk ishte në zyrë në atë kohë.
Në Salt Lake City, Dana Jones, drejtoresha e Bordit të Ruajtjes së Kapitolit të këtij shteti, tha se ajo kishte kërkuar nga stafi i ndërtesës që të punonin nga shtëpia të mërkurën pasdite, bazuar në këshillën e policisë në Utah dhe komisionerit të sigurisë publike, sipas njoftimeve të gazetës “Salt Lake Tribune”.
Masa paraprake u mor, tha gazeta, në përgjigje të një turme prej rreth 250 demonstruesish pro-Trump që vendosën tabela në ndërtesën e Kapitolit ku shkruhej: “Stop vjedhjes!” dhe “Trump fitoi!”.
Një zëdhënës i policisë së shtetit Utah tha se siguria ishte shtuar në Kapitol, megjithëse ai tha se protestuesit ishin “shumë paqësorë”, raportoi gazeta. Gazeta njoftoi se një nga fotografët e saj ishte spërkatur me lëndë djegëse nga individë të irrituar që ai po dokumentonte protestën e tyre.
Disa qindra mbështetës të Presidentit Trump gjithashtu organizuan një tubim “Stop vjedhjes” në kryeqytetin e Arizonës në Phoenix, duke brohoritur dhe duke sharë ndërsa ekspozonin një gijotinë./Reuters
Fraksion.com