AktualitetBota+Të fundit

Ligjvënësit amerikanë refuzojnë përpjekjen e parë për të parandaluar certifikimin zgjedhor

Në seancën e përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA u refuzua një kundërshtim nga disa ligjvënës republikanë për të vërtetuar votën elektorale të Arizonës për Joe Biden.

Dhoma e udhëhequr nga demokratët votoi 303-121 kundër masës. Një votë e ngjashme që refuzon kundërshtimin ndaj rezultateve të zgjedhjeve të Arizonës ndodhi më herët në Senatin e kontrolluar nga Republikanët, i cili votoi 93-6 kundër.

Kongresi po vazhdon procesin për të certifikuar votat elektorale të 50 shteteve. Disa senatorë republikanë të udhëhequr nga Josh Hawley i Misurit dhe Ted Cruz i Teksasit, së bashku me më shumë se 100 republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, po bëjnë përpjekje për të kundërshtuar rezultatet nga një numër shtetesh.

Përpjekja republikane nuk ka pothuajse asnjë mundësi për të parandaluar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden nga marrja e detyrës sepse demokratët kontrollojnë Dhomën dhe mjaft republikanë kundërshtojnë përpjekjen.

Seanca e Kongresit vazhdoi pas rreth katër orësh trazira, pasi protestuesit e dhunshëm që mbështesin presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit duke hyrë brenda.

Garda Kombëtare është mobilizuar për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.

Një grua që është plagosur gjatë dhunës në Kongres, ka vdekur. Policia e Uashingtonit tha se tre persona të tjerë vdiqën nga “urgjencat mjekësore”.

Kur ligjvënësit iu rikthyen seancës, qindra mbështetës të Trumpit ishin ende në rrugët e Uashingtonit, përkundër pranisë së madhe të policisë dhe shtetrrethimit të shpallur nga ora 6 e pasdites.

“Për ata që bënë kërdi në Kongresin tonë sot: Ju nuk keni fituar. Le t’i kthehemi punës”, tha nënpresidenti Mike Pence.

“Ne do ta certifikojmë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2020”, shtoi udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell.

 

Fraksion.com