Kandidatët demokratë Warnock dhe Ossoff fitojnë në Xhorxhia
Demokratët fituan në Xhorxhia të dyja vendet e Senatit dhe së bashku me to edhe shumicën e Senatit amerikan. Votat përfundimtare u numëruan të mërkurën, duke i dhënë Presidentit Donald Trump një humbje tronditëse në ditët e tij të fundit në detyrë dhe duke përmirësuar në mënyrë dramatike fatin e axhendës progresive të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Jon Ossoff dhe Raphael Warnock, sfidantët demokratë, që përfaqësuan larminë e koalicionit në zhvillim të partisë së tyre, mundën republikanët David Perdue dhe Kelly Loeffler, dy muaj pasi zoti Biden u bë presidenti i parë demokrat që nga viti 1992 që fiton në këtë shtet.
Zoti Warnock, i cili shërbeu si pastor për të njëjtën kishë të Atlantës, ku predikoi lideri i të drejtave civile Martin Luther King Jr., bëhet i pari afrikano-amerikan nga Xhorxhia që zgjidhet në Senat. Gjithashtu, zoti Ossoff bëhet senatori i parë hebre i këtij shteti dhe, në moshën 33 vjeçare, anëtari më i ri i Senatit.
Suksesi i tyre është simbol i një zhvendosje të mprehtë të përbërjes shoqërore të Xhorxhias.
Zgjedhjet e kësaj jave shënojnë fundin e sezonit të trazuar të zgjedhjeve 2020. Nga barra e pazakontë e vendimmarrjes, Xhorxhia, dikur një shtet solid republikan, u shndërrua në një nga fushat kryesore të betejës politike gjatë ditëve të fundit të presidencës Trump – dhe ndoshta edhe më gjerë.
Në një fjalim emocional të mërkurën herët, zoti Warnock u zotua të punojë për të gjithë banorët e Xhorxhias, për ata që votuan për të apo jo, duke përmendur përvojën e tij personale me ëndrrën amerikane. Nëna e tij, tha ai, mblidhte “pambukun e dikujt tjetër” kur ishte adoleshente.
“Ditën tjetër, sepse kjo është Amerika, duart 82-vjeçare që mblidhnin pambukun e dikujt tjetër, zgjodhën djalin e saj më të ri për të qenë një senator i Shteteve të Bashkuara”, tha ai. “Sonte, ne dëshmuam se me shpresë, punë të palodhur dhe njerëzit përkrah nesh, gjithçka është e mundur”.
Në një intervistë me emisionin “Good Morning America” të kanalit ABC, ai e përshkroi fitoren e tij si një “përmbysje të strategjisë së vjetër të Jugut që kërkonte të ndante njerëzit”.
Zonja Loeffler, e cila vazhdon të jetë senatore e Xhorxhias derisa të finalizohen rezultatet e zgjedhjeve të së martës, u kthye në Uashington të mërkurën në mëngjes për t’iu bashkuar një grupi të vogël senatorësh që planifikonin të sfidonin votimin në Kongres për të çertifikuar fitoren e zotit Biden.
Tashmë që demokratët fituan të dyja vendet, Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të jetë në gjendje të hedhë votën përcaktuese të çdo legjislacioni që Presidenti i zgjedhur Joe Biden dëshiron të miratohet në dy vitet e tij të para në detyrë. Por disa votues në Xhorxhia thonë se me Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët, do të ishte më mirë të kishte një qeveri ku pushteti politik të mbetet i ndarë.
“Unë nuk besoj se nëse një parti kontrollon të gjithë Kongresin dhe presidencën, do të shohim që të gjithë ne të përfaqësohemi plotësisht”, thotë Lon Sperry votues në Xhorxhia.
Presidenti në largim bëri fushatë për të dy republikanët, duke kritikuar zyrtarët e zgjedhjeve në atë shtet dhe duke pretenduar pa prova se zgjedhjet e nëntorit u manipuluan. Disa republikanë janë të shqetësuar se pretendimet e presidentit mund të kenë dekurajuar mbështetësit e tij të votojnë./VOA
Fraksion.com