AktualitetTë fundit

Hetime për birësimet nga Shqipëria; Prokuroria e Selanikut hap çështje pas vrasjes së dy motrave në Tiranë

Publikimi në Top Channel i detajeve rrëqethëse nga ajo që dukej të ishte thjesht një vrasje për xhelozi ditën e fundit të vitit ka vënë në lëvizje edhe drejtësinë greke. Prokuroria e Selanikut po heton mbi deklaratat e bëra nga familjarët e dy viktimave se autori ishte i përfshirë në shitje bebesh.

Departamenti i policisë së Selanikut është thirrur tashmë të hetojë nëse janë kryer birësime të paligjshme me pjesëmarrjen e autorit të vrasjes makabre të dyfishtë Përparim Ademi dhe dy viktimave të tij motrave Kristina dhe Zhaneta.

Ka qenë kreu i Prokurorisë së Selanikut, Panagiotis Panagiotopulos, që ka urdhëruar mëngjesin e së enjtes  një hetim paraprak për akuzat e trafikimit të foshnjave, pas vrasjes së dyfishtë në Shqipëri.

Arsyeja ishin pikërisht raportimet e shumta të mediave greke që duke ju referuar burimeve nga emisioni Shqipëria Live në Top Channel kanë publikuar historinë që fshihet pas këtij krimi natën e vitit të ri në Tiranë.

Policia thirret tashmë të vërtetojnë nëse vërtet autori i detyronte motrat në prostitucion , i linte shtatzëna dhe më pas i detyronte të shisnin fëmijet në tokën greke.

Kreu i prokurorisë së Selanikut ka ngarkuar prokuroren Kyriaki Kliampa të urdhërojë fillimin e këtij hetimi special nga policia e Selanikut.

Qëllimi është të verifikohet nëse vërtetohet krimi i birësimit të paligjshëm me përfshirjen e dy grave- viktima dhe autorit që është arrestuar  nga autoritetet shqiptare.

Ka disa ditë që në mediat greke lajmi në fjale përben pjesë të kronikave apo reportazheve dhe interesimi i mediave ka sjellë pikërisht këtë zhvillim të ri, ndërhyrjen e prokurorisë së Selanikut.

Sipas organeve policore lokale, njëra prej motrave është konfirmuar se ka kryer prostitucion në një rrugë të njohur të Selanikut , ndërsa dje është bërë i njohur fakti që Përparim Ademi ka qenë arrestuar në Selanik , bashkë me të edhe Kristina Bardhi në 2003 në Athinë dhe 2007 në Selanik për prostitucion dhe hyrje të paligjshme në Greqi ,ndërsa Zhaneta Metani konkludon e arrestuar njëherë për prostitucion në vitin 1992 përsëri në Selanik.

 

Fraksion.com