AktualitetBota+Të fundit

“4 të vdekur dhe 52 të arrestuar nga trazirat”; Demokracia amerikane “nën rrethim”

Një ditë e dhunës dhe e kaosit në Kongresin amerikan e la Amerikën të lëkundur, ndërsa politikanët në të gjithë botën të tronditur dhe të shqetësuar.

Në një skenë të paparë në historinë moderne të SHBA-së, mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump, sulmuan dhunshëm ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të zhbërë fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Ligjvënësit u evakuuan, një person u qëllua dhe vdiq. Raportet e mediave lokale thanë se gruaja që u qëllua, u dërgua me urgjencë në spital, por më vonë vdiq, dhe se ajo ishte një mbështetëse e zjarrtë e Trumpit. Policia e Uashingtonit tha se tre persona të tjerë vdiqën nga “urgjencat mjekësore”.

Për miliona njerëz në shumë vende që kanë përjetuar trazira të dhunshme politike në vitet ose dekadat e fundit, pamjet kaotike ishin të njohura.

Zyrtarët perëndimorë u shprehën të zemëruar që dhuna ka ndodhur në Uashington, kryeqytetin e SHBA-së.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha se dhuna dhe kaosi do t’i kënaqin “armiqtë e demokracisë” në të gjithë botën.

“Skena të turpshme në Kongresin e SHBA-së”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson, në një postim në Twitter.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin demokracinë në të gjithë botën dhe tani është thelbësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit” në SHBA, tha Johnson.

Diplomatët rusë morën një qëndrim tjetër.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ripostoi në Facebook një koment të një gazetareje amerikane, e cila ka shkruar: “Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë më në gjendje t’i tregojnë botës se ne jemi shembull i demokracisë”.

Zëvendësambasadori i parë i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyansky, tha se pamjet në Kongres ngjajnë me “stilin e Maidanit” – një referencë kjo për kryengritjen popullore në Ukrainë, të vitit 2014, që çoi në rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ndau ndjenjat e zyrtarëve perëndimorë, duke thënë se sundimi i ligjit dhe parimet demokratike duhet të rikthehen në Uashington.

“Kjo është e rëndësishme jo vetëm për SHBA-në, por edhe për Ukrainën dhe të gjithë botën demokratike”, tha Kuleba në një postim në Twitter.

Edhe kryeministri slloven, Janez Jansa, i cili e ka mbështetur Trumpin dhe nuk e ka uruar ende Bidenin për fitoren, tha se “të gjithë duhet të shqetësohen shumë nga dhuna që po ndodh në Uashington”.

“Ne shpresojmë që demokracia amerikane është e fuqishme, me rrënjë të thella dhe do ta kapërcejë këtë krizë. Demokracia presupozon protesta paqësore, por dhuna dhe kërcënimet me vdekje – nga e majta ose e djathta – janë gjithmonë të gabuara”, tha Jansa.

Trump u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mblidhen në Uashington, për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, i cili e ka nxjerrë fitues kandidatin demokrat, Joe Biden.

Trump ka vazhduar të bëjë pretendime të pabaza për mashtrime zgjedhore, edhe pse gjykatat kanë refuzuar dhjetëra përpjekje të tij për të përmbysur rezultatin.

Dhuna çoi në pezullimin e seancës së Kongresit, në të cilën ligjvënësit po certifikonin zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve. Ky takim normalisht është formalitet, por është bërë i rëndësishëm nga refuzimi i Trumpit për të pranuar humbjen dhe përpjekja e disa ligjvënësve republikanë për të anuluar rezultatin.

Udhëheqës të shumtë të huaj i bënë thirrje Trumpit dhe turmës që sulmoi Kongresin, që të sigurojnë shpejt një transferim paqësor të pushtetit.

Ministri i Jashtëm gjerman, Maas, u kërkoi mbështetësve të Trumpit që “të ndalojnë së shkeluri” mbi vlerat demokratike.Turqia, e cila sikurse Rusia është qortuar vazhdimisht nga SHBA-ja për pushtetin autoritar, ishte gjithashtu e shpejtë në komentet për Uashingtonin.

“I ndjekim me shqetësim ngjarjet në SHBA dhe i ftojmë të gjitha palët të bëjnë qetësi. Ne besojmë se problemet zgjidhen gjithmonë brenda ligjit dhe demokracisë”, tha Mustafa Sentop, kryetar i Parlamentit të Turqisë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së e dënoi atë që ai e cilësoi si “sulm ndaj demokracisë amerikane”.

“Në sytë e botës, demokracia amerikane sonte shfaqet nën rrethim”, shkroi Josep Borrell në Twitter.

“Kjo nuk është Amerikë. Rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit duhet të respektohen plotësisht”, shtoi ai.

Trump lëshoi një thirrje të përmbajtur për paqe, pas disa orësh trazira.

Më vonë, ai iu bëri thirrje protestuesve që të shkojnë në shtëpi, ndërsa i quajti ata “njerëz shumë të veçantë” dhe përsëriti pretendimin e tij të rremë, se ai i ka fituar zgjedhjet.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se vendi i tij, një fqinj dhe aleat i ngushtë i SHBA-së, është “thellësisht i shqetësuar dhe i trishtuar” nga ngjarjet në Uashington.

“Dhuna nuk do të ketë kurrë sukses në mposhtjen e vullnetit të njerëzve”, shkroi Trudeau në Twitter.

 

Fraksion.com