AktualitetBota+Të fundit

SHBA-ja shënjestron me sanksione sektorin e metaleve të Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në listë të zezë 16 kompani dhe një individ të lidhur me industrinë e metaleve të Iranit, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme nga administrata në largim e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të penguar përfitimet e këtij vendi.

Departamenti i Thesarit në SHBA tha më 5 janar se ka shënjestruar sektorin e metaleve iraniane sepse është një “burim i rëndësishëm i të ardhurave” për udhëheqjen iraniane, “duke gjeneruar pasuri për udhëheqësit e saj të korruptuar dhe duke financuar një sërë aktivitetesh të këqija, duke përfshirë përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, mbështetjes për grupet e huaja terroriste dhe një shumëllojshmërie të shkeljeve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit”.

Sipas sanksioneve, pasuritë e subjekteve dhe individëve në shënjestër që bien nën juridiksionin e SHBA janë të ngrira dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë më këto subjekte.

“Administrata Trump mbetet e vendosur për të ndaluar të ardhurat nga të cilat përfiton regjimi iranian, derisa i njëjti vazhdon të sponsorizojë grupe terroriste, të mbështesë regjime shtypëse dhe të kërkojë armë të shkatërrimit në masë”, tha Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, në një deklaratë. Zyrtarët iranianë ende nuk e kanë komentuar këtë vendim.

Në maj 2019, Shtetet e Bashkuara njoftuan së pari sanksionet që synojnë sektorët e çelikut, aluminit, bakrit dhe hekurit të Iranit – të gjitha burimet kryesore të të ardhurave për vendin.

Administrata e Trump është zotuar të vazhdojë fushatën e saj “me presion maksimal” mbi Iranin para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar.

Më 2018 presidenti Trump vendosi për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje bërthamore ndërkombëtare, sipas së cilës Teherani u zotua të kufizojë aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike.

Presidenti ka thënë se marrëveshja e vitit 2015 nuk ishte e mirë dhe se presioni ekonomik do ta detyrojë Teheranin t’i japë fund programit të tij bërthamor, dhe të ndalojë mbështetjen e terroristëve. Irani mohon se po zhvillon armë bërthamore.

Në përgjigje të tërheqjes së SHBA-së, Irani gradualisht ka shkelur pjesë të marrëveshjes.

SHBA-ja dhe Izraeli janë zotuar se nuk do ta lejojnë Iranin të posedojë armë bërthamore.

 

Fraksion.com