SHBA, Guvernatorët përpiqen të shpejtojnë shpërndarjen e vaksinave
Më shumë se dy të tretat e 15 milionë vaksinave të koronavirusit të shpërndara brenda Shteteve të Bashkuara deri tani nuk janë përdorur. Disa shtete kanë thënë se do të ndëshkojnë me gjoba spitalet që nuk shpejtojnë procesin e vaksinimit.
Shpërndarja e vaksinës kundër Covid-19 ka qenë më e ngadaltë se sa pritej, kështu që tani disa shtete po ndërhyjnë për të shpejtuar procesin.
Në Nju Jork, guvernatori i shtetit tha se spitalet duhet të përfundojnë vaksinimet brenda një jave pas marrjes së dozave.
“Çdo qendër që nuk përdor vaksinën mund të gjobitet deri në 100 mijë dollarë duke filluar tani. Ato duhet të përdorin dozat brenda shtatë ditëve, përndryshe mund të hiqen nga lista e furnizimit me vaksina në të ardhmen.”
Zoti Cuomo tha se spitalet kanë marrë doza të vaksinave gjatë tre javëve të fundit në kuadër të një programi që u jep përparësi punonjësve të kujdesit shëndetësor. Por ato kanë përdorur vetëm 46 për qind të dozave të para të vaksinave që janë parashikuar për ta.
Shtrimet në spital në Nju Jork janë dyfishuar që nga fillimi i dhjetorit, duke arritur në më shumë se 8,200. Numri i rasteve të reja të koronavirusit është rritur 27 për qind në javën e fundit, në më shumë se 13,600 raste në ditë.
Ndërkohë në Florida, ka patur radhë të gjata njerëzish që prisnin të merrnin vaksinën e koronavirusit. Personat 65 vjeç e lart dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor janë grupet që kanë përparësi për të bërë vaksinën.
Guvernatori i Floridës njoftoi se shteti do të ndajë vaksinat për spitalet që i administrojnë ato më shpejt.
Në Kaliforni, shteti më i goditur nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, Guvernatori Gavin Newsom dha alarmin.
“Në 14 ditët e fundit, afër 4,000 banorë të Kalifornisë humbën jetën. Kjo është një sëmundje vdekjeprurëse. Kjo është një pandemi vdekjeprurëse. Mbetet më vdekjeprurëse sot sesa në çdo pikë të historisë së kësaj pandemie.”
Zoti Newsom tha se Kalifornia po punon gjithashtu për të shpejtuar shpërndarjen e vaksinave.
“Ju do të filloni të shihni një shpërndarje më të shpejtë vaksinës, unë mund t’ju siguroj për këtë. E di që tani ky është një proces shumë i ngadalshëm për shumë prej nesh.”
Ndërsa numri i rasteve të koronavirusit arriti në mbi 20.8 milionë të martën sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportuan se gati 4.6 milionë vaksinime janë bërë deri më tani në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Fraksion.com