Opinioni në DW: Corona dhe sulmet ndaj të moshuarve
Nga Astrid Prange
Një nga pasojat më të rënda të krizës së Coronës është imazhi i ri negativ ndaj të moshuarve. Një grup i madh i popullsisë thjesht diskriminohet në të gjithë botën. Gabim fatal, mendon Astrid Prange.
Një vit pas shpërthimit të pandemisë Corona, perceptimi i brezit 60+ është kthyer në të kundërtën. Njerëzit e moshuar papritmas shihen si të prekshëm, të pambrojtur dhe të dobët. Virusi i ka bërë ata viktima të diskriminimit dhe izolimit.
Ndihmë apo jo?
Por kush në të vërtetë dëshiron të mbrojë kë këtu? Rezultati i një sondazhi me shkrim nga “Deutsche Alterssurveys” i bërë me 5.000 persona të moshës 46 dhe 90 vjeç, në qershor dhe korrik 2020, tregon se ndihma për personat që kanë nevojë ka një konotacion pozitiv, por jo gjithmonë ata e presin mirë këtë ndihmë.
Sepse sipas sondazhit, madje as çdo i dhjeti person i moshës 46 dhe 90 vjeç nuk ndihet i cënuar nga pandemia. Sipas sondazhit, shëndeti është më i rëndësishëm se mosha. Njerëzit që janë në gjendje të mirë shëndetësore ndjehen më pak të rrezikuar nga pandemia sesa njerëzit e tjerë.
Roli i të moshuarve
Anketa e porositur nga Ministria Federale për Familjen është me vlerë. Por a mund të ndryshojë kjo modelet e krijuara më parë?
Virusi jo vetëm që ka dixhitalizuar dhe modernizuar shoqërinë, por edhe e ka bërë atë më konservatore. Gjatë kufizimeve masive, kujdesi për shtëpinë dhe fëmijët janë bërë gjithnjë e më shumë “çështje e grave” përsëri, ndërsa të moshuarit e aftë po shndërrohen përsëri në qenie gjoja në nevojë.
Kjo sjellje iracionale është ndër efektet më të këqija dhe më të rrezikshme anësore të virusit. Për shkak se jo vetëm që rinxjerr termat si “personat në vitet më të mira” ose “seniorët aktivë” si fraza boshe, por gjithashtu diskriminon një grup të madh të popullsisë. Në këtë mënyrë rrezikohet kohezioni i shoqërisë, i cili është tani i domosdoshëm.
Shtrohet pyetja: Pse i thërrasim të kthehen në punë mjekët, farmacistët, zjarrfikësit, infermierët, mësuesit dhe oficerët e policisë nga pensioni, e njëkohësisht themi se personat mbi 60 vjeç janë një grup i rrezikuar? Pse i sakrifikojmë ata të cilët kanë vuajtur më së shumti për shkak të izolimit dhe vetmisë – ata të cilat kanë kontribuar më së shumti për ndërtimin dhe kohezionin e shoqërisë së sotme?
Të moshuarit ndihmojnë njëri-tjetrin
Në një shoqëri që po plaket, është e gabuar të flasësh për “të vjetër” ose “brez të vjetër”, sepse këto kategori nuk ekzistojnë. Shumë ndihma për të cilët kanë nevojë njerëzit e sëmurë ose më të dobët ofrohen pikërisht nga vetë personat e brezit 60+, veçanërisht kur kujdesen për të afërmit.
Edhe pas krizës së Coronës, shumë prej tyre do të vazhdojnë të jenë ndër bartësit e zhvillimeve në këtë shoqëri. Një imazh negativ i brezave të moshuar, i cili në përgjithësi i klasifikon të moshuarit mbi 65 vjeç si të dobët, pleq dhe potencialisht në rrezik, e dëmton dhe zhvlerëson një brez të tërë. Fatkeqësisht, ky virus mendor nuk mund të luftohet me një vaksinim.
Fraksion.com