Kaos në Amerikë; Biden: I tronditur, bota po na sheh; Trump: E dimë si ndiheni, por shkoni në shtëpi
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u bëri thirrje turmave që të tërhiqen, ndërsa protestat i cilësoi si “moment i errët” për demokracinë amerikane.
Ai po ashtu i bëri thirrje presidentit Trump që të paraqitet në televizionin kombëtar dhe të kërkojë që t’i jepet fund “rrethimit” të Kongresit.
“Demokracia jonë është nën një sulm të paparë … Ky nuk është mospajtim, është rebelim, është kaos”.
“Fjalët e një presidenti kanë rëndësi … Prandaj, unë i bëj thirrje presidentit Trump të dalë në televizionin kombëtar për të përmbushur betimin e tij dhe për të mbrojtur Kushtetutën”, tha Biden duke folur nga shteti i tij Dellauer.
“Kërcënimi i sigurisë së zyrtarëve të zgjedhur, nuk është protestë, është kryengritje. Bota po na sheh. Si shumë amerikanë të tjerë, unë jam i tronditur dhe i trishtuar që kombi ynë, për kaq kohë rrezja e dritës dhe shpresës për demokraci, arriti në një moment kaq të errët. President Trump: Merr masa!”, tha Biden.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në një mesazh televiziv drejtuar mbështetësve, tha se “është koha për të shkuar në shtëpi”.
“Unë e di dhimbjen tuaj. Unë e di lëndimin tuaj”, tha Trump, duke pretenduar në mënyrë të rreme se zgjedhjet janë “vjedhur”.
“Të gjithë e dinë. Sidomos ana tjetër. Por, ju duhet të shkoni në shtëpi tani. Na duhet të kemi paqe. Na duhet të kemi ligj dhe rend”, tha ai.
Të mërkurën, më 6 janar, mbështetës të presidentit aktual, Trump hynë në ndërtesën e Kongresit amerikan, teksa aty po mbahej një mbledhje ku do të certifikohej fitorja e Bidenit.
Pas kësaj, seanca shkoi në pauzë dhe disa anëtarë të Kongresit u evakuuan në zyrat e tyre.
Fraksion.com