Biden, thirrje Presidenti Trump: Dil në televizion, mbro Kushtetutën
Presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti një fjalim dhe i bëri thirrje Presidentit Donald Trump të dalë në televizionin kombëtar dhe të mbrojë Kushtetutën, të bëjë thirrje që njerëzit të largohen nga Kapitoli.
Joe Biden në një konferncë urgjente për shtyp bëri thirrje që qytetarët të ndalojnë protestat e tyre, por apelin kryesor e pati me presidentin në detyrë Donald Trump.
ndërkohë Trump, përmes një postimi në Twitter më herët, bëri thirrje për qetësi.
“Kërkoj nga të gjithë në (ndërtesën e) Kapitolit të SHBA-së, të qëndrojnë të qetë. Jo dhunë! Mos harroni, ne jemi Parti e Ligjit dhe Rendit – respektoni Ligjin dhe burrat dhe gratë tona të shkëlqyera në blu. Faleminderit!”, shkroi Trump në Twitter.
Mbështetësit e Trumpit marshuan drejt ndërtesës së Kongresit, ku u përballën me policinë, pasi presidenti iu drejtua atyre gjatë ditës.
“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”, u tha Trump turmave.
Pamjet televizive të disa transmetuesve amerikanë tregojnë protestues brenda dhe jashtë ndërtesës së Kongresit, si dhe arritjen e forcave shtesë të policisë.
Certifikimi i rezultatit zgjedhor – hapi i fundit zyrtar përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar – është normalisht një procedurë rutinore, por këtë vit u shndërrua në debat të ashpër, pasi një grup republikanësh e kundërshton certifikimin në disa shtete.
Së paku 14 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e disa shteteve. Por, ky vendim i i ka ndarë edhe vetë republikanët.
“Votuesit, gjykatat, shtetet – të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ata, ne do ta dëmtojmë republikën tonë përgjithmonë”, tha Mitch McConnell, pasi disa republikanë kundërshtuan certifikimin e rezultatit në Arizona.
Zoti Biden duhet të fliste për ekonominë, por ai e ndryshoi temën e fjalimit për shkak të zhvillimeve në kryeqytetin amerikan.
Fraksion.com