AktualitetTë fundit

Shifrat e COVID-19; Pipero: Për tre muaj bota do të flasë ndryshe

Ditët e fundit në Shqipëri është raportuar një numër i ulët infektimesh nga Covid-19 nga Ministria e Shëndetësisë. A do të thotë kjo se situata po përmirësohet?

Sipas Eugena Tomini, shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP: “Rënia i dedikohet një ulje të agresivitetit të sëmundjes pavarësisht se raste të rënda përsëri ne kemi në spitale.

Së dyti kemi edhe marrje masash që janë mbivendosur njëra tjetrën dhe e kanë lehtësuar atë zinxhirin e transmetimit të infeksionit, sepse ju e dini që shumë struktura të tjera funksionojnë online ose me kapacitete të minimizuara. Ndërkohë po shohim edhe deri diku një respektim të asaj që quhej një masë kaq e rëndomë, si maska brenda dhe jashtë” tha ajo.

E ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Log” Tomini tha se ky është një vlerësim dinamik, është një situatë trazitore, pavarësisht se jemi në pikun e dimrit.

Por mjeku infeksionist Pëllumb Pipero dha një paralajmërim dhe kërkoi vëmendje. Sipas tij, gjysma e dytë e janarit do ketë rritje të rasteve.

“Mendoj se kjo është një sjellje fiziologjike e virusit, gjysma e dytë e janarit do të ketë një shtim të rasteve, por duhet të jemi të përgatitur dhe duhet që edhe për të paktën 2-3 muaj të jemi alert për të mundësuar uljen e dëmit të këtij virusi” tha ai.

Mirëpo, nga ana tjetër Pipero ka deklaruar se për tre muaj, pas nisjes së vaksinimit ndaj Covid-19, bota do të flasë ndryshe. Ai tha se gjithsesi, mrekullia nuk mund të pritet vetëm nga vaksina. Mjeku shtoi se maskat dhe masat e tjera, do të duhet që të praktikohen edhe pas vaksinimit.

“Gjasat janë që vaksina të krijojë mbrojtje pas dozës së dytë dhe imuniteti të zgjasë për disa vite. Unë besoj se në tre muaj bota do të flasë ndryshe. Nuk e presim mrekullinë vetëm nga vaksinimi. Do të na duhet që masat e tjera parandaluese, si maska të jenë prezente. Maska është e domosdoshme,”- tha Pipero.

 

Fraksion.com