Kryetarja e Uashingtonit mobilizon Gardën Kombëtare para tubimeve pro-Trump
Kryetarja e Uashingtonit ka mobilizuar Gardën Kombëtare përpara protestave të planifikuara nga mbështetësit e presidentit, Donald Trump, në kohën kur Kongresi do të votojë për të konfirmuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Mbështetësit e Trumpit po planifikojnë të mblidhen në kryeqytetin e SHBA-së më 5 dhe 6 janar në mbështetje të pretendimeve të pabazuara të Trump për mashtrim të gjerë të votuesve.
Më shumë se 300 trupa të Gardës Kombëtare do të jenë gati për të siguruar kontrollin e turmës dhe ndihmën e zjarrfikësve dhe shërbimeve të shpëtimit, tha Garda Kombëtare në një deklaratë.
Protestat përkojnë me një votim të Kongresit të planifikuar të zhvillohet në 6 janar që pritet të certifikojë rezultatet e Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet e 3 nëntorit.
Trump vazhdon të kundërshtojë rezultatin, të cilin Kolegji Zgjedhor e konfirmoi muajin e kaluar si një fitore për Bidenin me rezultat 306-232 të votave në Kolegj.
Kongresi është i mandatuar me Kushtetutë për të numëruar dhe vërtetuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Kjo procedurë zakonisht është një formalitet. Por, jo edhe kësaj rradhe pasi të paktën 12 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve u zotuan se do të votojnë kundër certifikimit, duke përmendur pretendimet e Trumpit për mashtrim zgjedhor.
Presidenti Trump tha më 4 janar tha se ai do të “luftonte fuqishëm” për të mbajtur presidencën dhe u bëri thirrje ligjvënësve republikanë që të kthejnë mbrapsht humbjen e tij ndaj Bidenit.
Pretendimet e Trumpit janë hedhur poshtë nga zyrtarët e zgjedhjeve nga të dy partitë politike, guvernatorë në shtetet kryesore të përballjes zgjedhore dhe Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së erdhi në përfundimin se nuk kishte mashtrim të gjerë zgjedhor.
Përveç kësaj, pothuajse të gjitha paditë nga ekipi ligjor i Trumpit dhe aleatët e tij janë hedhur poshtë nga gjykatësit, duke përfshirë dy të refuzuara nga Gjykata Supreme.
Trump nuk ka treguar asnjë shenjë që ai synon të dorëzohet dhe ka inkurajuar protestat. Më 3 janar ai la të kuptohet se mund t’i drejtohet njërit nga tubimet, duke dërguar një mesazh përmes Twitterit: “Unë do të jem atje. Ditë historike! ”
Kryetarja e Uashingtonit, Muriel Bowser, më 4 janar kërkoi një vendosje të Gardës Kombëtare dhe u kërkoi banorëve lokalë që të qëndronin larg zonës në qendër të qytetit më 5 dhe 6 janar dhe të shmangnin konfrontimet me këdo që “po kërkon një përleshje”.
Bowser, një demokrate, tha në një konferencë për media se Kushtetuta e SHBA-së “do të qëndrojë” dhe Biden dhe Kamala Harris “do të jenë presidenti dhe nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara” kur të inaugurohen më 20 janar.
Shefi i Përkohshëm i Policisë, Robert Contee, tha se janë marrë masat paraprake sepse “ka individë që synojnë të sjellin armë zjarri në qytetin tonë dhe kjo thjesht nuk do të tolerohet”.
Disa grupe nacionaliste të ekstremit të djathtë që kanë mbajtur hapur armët në protesta të tjera pritet të jenë midis 15.000 njerëzve që pritet të marrin pjesë në tubime.
Policia e qytetit ka shpërndarë paralajmërime në të gjithë qendrën e qytetit duke thënë se mbajtja e çdo lloj arme zjarri është e paligjshme në kryeqytetin amerikan, në të cilin janë në fuqi disa nga ligjet më të rrepta të armëve në vend.
Autoritetet janë të kujdesshëm pasi qindra mbështetës të Trump u përplasën me aktivistët lokalë gjatë një tubimi në dhjetor.
Fraksion.com