“Kemi ende punë për të bërë”; Niko Peleshi në krye të Mbrojtjes: Objektiv një bazë ushtarake e NATO-s në Pashaliman
“E nderuar ministre, e dashur Olta,
i nderuar shefi i shtabit të përgjithshëm të FA,
të nderuar gjeneralë,
të nderuar deputete, atashe, te ftuar e pjesëmarrës.
të dashur anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare,
kolegë të nderuar,
detyra e ministrit të Mbrojtjes është një përgjegjësi e veçantë ndaj atdheut tonë të dashur dhe popullit tonë.
Të përmbushësh me nder këtë përgjegjësi do të thotë t’i kontribuosh paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit; do të thotë të mbrosh dhe promovosh lirinë, vlerat qytetare demokratike dhe rendin tonë kushtetues si edhe të përmbushësh gjithnjë e më tepër, gjithnjë e më mirë detyrimet dhe rolin tonë si vend aleat i NATOs.
Ndihem i obliguar të justifikoj besimin që më dha kryeministri e mazhoranca, duke e kryer këtë detyrë me devocion dhe atdhedashuri.
Përshëndes me mirënjohje të gjithë djemtë e vajzat, burrat e gratë në uniformë, që janë aseti më i madh i Forcave të Armatosura.
Viti i fundit ka qenë shumë i vështirë, por gjatë këtij viti sprove, që nga tërmeti e deri tek pandemia, ju keni ditur të tregoni që Forcat e Armatosura kanë sot një nivel profesionalizmi e modernizimi të admirueshëm, të denjë për një vend anëtar i NATOs, aleancës më të fuqishme politike e ushtarake në botë.
Dua t’ju bëj një përshëndetje të veçantë, të gjithë atyre efektivëve, rreth 200, që sot shërbejnë në misionet e NATO dhe BE, nga Afganistani në Kosovë e Afrikë, duke kontribuar në garantimin e sigurisë kolektive. Ata janë prova më e mirë e progresit që kanë bërë FA. Ata janë edhe kartëvizita më e mirë me të cilën Shqipëria prezantohet para aleatëve e partnerëve.
Sot përulem me respektin më të madh para ushtarakëve, që dhanë jetën në krye të detyrës në misionet tona paqeruajtëse, si dhe i shpreh mirënjohjen më të veçantë familjarëve të tyre.
Në rrugëtimin tonë jemi përkrah aleatëve edhe unë ashtu si Olta dua të veçoj SHBA për ndihmën e vyer e të pakursyer që i japin Forcave tona të Armatosura.
Dua t’i garantoj aleatët e partnerët tanë që Shqipëria do të vazhdojë të jetë jo thjesht një faktor stabiliteti në rajon, por edhe një eksportues sigurie duke marrë pjesë në operacione ushtarake e humanitare kudo ku NATO por edhe OKB dhe BE do të kenë nevojë për angazhimin tonë.
Edukimi dhe trajnimi i FA duhet të marrë një vëmendje të veçantë ndaj dua të vlerësoj sot si një arritje të shkëlqyer të ministres dhe bashkëpunëtoreve të saj në këtë ministri, hapjen e Akademisë së Forcave të Armatosura. Angazhohem t’i jap gjithë mbështetjen time rritjes dhe konsolidimit të këtij institucioni unik të Arsimit të Lartë.
Fillimi së afërmi i punimeve për Bazën e Kuçovës është një ngjarje me rëndësi te veçantë strategjike, por edhe një sfidë e jashtëzakonshme që do të kërkojë dedikim maksimal nga të gjithë ne. Jam gjithashtu në dijeni se ka filluar dialogu me NATO për Bazën e Pashalimanit. Ky projekt duhet ndjekur me këmbëngulje për ta kthyer në realitet.
Ngritja e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile do të na bëjë më të aftë për të përmbushur
përgjegjësinë e shtuar të Mbrojtjes Civile duke u përgjigjur më mirë, në kohë e me profesionalizëm para emergjencave civile për të garantuar jetën, mirëqenien dhe pasurinë e shqiptarëve.
Ky dikaster ka një të veçantë, sepse është tashmë i integruar plotësisht në strukturat euroatlantike. Është një institucion, performanca dhe puna e të cilit matet me standardet e NATO. Është bërë një punë jo e vogël për të na afruar sa më shumë me këto standarde. Por kemi ende punë për të bërë.
Le të bashkojmë forcat e të frymëzohemi nga e ardhmja europiane e shqiptareve, nga fëmijët tanë, për të çuar përpara misionin tonë për një Shqipëri të sigurt, demokratike e anëtare të denjë të BE.” tha Peleshi.
Fraksion.com