AktualitetPolitikëTë fundit

“Bllokoi projektin Vlorë-Orikum”; Meta – Ramës: Huaja u synua të transferohej për një tjetër projekt

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur në një konferencë për mediet deklaratave të Kryeministrit Edi Rama nga Vlora, ku ai pak ditë më parë u shpreh se Presidenti mbante të bllokuar projektet e infrastrukturës turistike.

“Kuvendi i Shqipërisë, më 9 nëntor 2017, ka ratifikuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Fondit Saudit për rrugën e Lumit e Vlorës. Presidenti menjëherë e ka mirëpritur këtë iniciativë dhe ka shpallur dekretin brenda dy ditësh. Ky ligj është miratuar në seancën plenare më 17 shtator dhe presidenti e shpalli menjëherë më 22 shtator. Presidenti shqyrtoi me vëmendje praktikën, nga ku rezultoi se qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Financave, i kishte kërkuar Fondit Saudit për Zhvillim zgjidhjen e marrëveshjes së huasë”, tha ai.

“Pra, është e qartë që Fondi Saudit ka pranuar të zgjidhë këtë marrëveshje. Kjo ndërprerje për financimin e projektit të Lumit të Vlorës, me gjatësi prej 16.4 km, është bërë me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe jo të palës tjetër”, tha Meta.

“Vetëm 7 ditë më vonë, më datë 29 shtator, Ministria e Financave i paraqet një kërkesë Presidentit ku i kërkohet plotfuqishmëri për një tjetër hua po me Fondin Saudit për rrugën Vlorë-Orikum. Presidenti mësoi se kjo marrëveshje ishte miratuar në Këshillin e Ministrave më 23 shtator. Rezultoi që Presidentit i kërkohej të lëshonte plotfuqishmëri kur më parë duhej të merrte një autorizim”, u shpreh Meta.

Ajo që është e rëndë, sipas Metës, është se përfaqësuesit e qeverisë kanë gënjyer në Kuvend, kur kanë deklaruar se huaja do të merrej për lotin e katërt të Lumit të Vlorës, kur huaja do të transferohej për një tjetër projekt.

“Si rezultat i shqyrtimit të kësaj praktike rezultoi se, jo vetëm kërkohej autorizimi, jo vetëm Këshilli i Ministrave kaloi fazën e negocimit, por përfaqësues të qeverisë kanë gënjyer duke thënë se do të vazhdojë projekti i Lumit të Vlorës. Ata synuan që huanë ta transferonin për një tjetër projekt”, tha Meta.

 

Fraksio.com