AktualitetTë fundit

Reshjet e borës në Korçë; Spirollari: Të gjitha akset e kalueshme

Mëngjesin e kësaj të hëne, zonat malore të Korçës janë mbuluar nga dëbora, ndërsa qyteti është përfshirë kryesisht nga reshjet me intensitet mesatar të shiut. Borë pastruesit dhe kompanitë e mirëmbajtjes kanë qenë në detyrë përgjatë gjithë kohës dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.

Dhori Spirollari, Prefekt i Qarkut të Korçës, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare ka bërë me dije se “në territorin e Qarkut Korçë, gjatë natës ka patur reshje shiu me intensitet mesatar, deri në 22 mm, ndërsa ne zonat malore mbi 1 200 metra, si në zonën e Dardhës, Qafës së Qarit, Vithkuqit dhe Voskopojës ka patur reshje dëbore, ku trashësia e saj në zonën e Dardhës ka arritur deri 20 cm, dhe në zonat e tjera deri në 5 cm. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht”.

“Nga kompanitë kontraktore të mirëmbajtjes dimërore, të akseve Korçë-Qafë e Qarit-Ersekë, Boboshticë-Dardhë dhe Korçë-Voskopojë gjatë gjithë natës është punuar për pastrim dhe hedhjen e kripës. Me energjinë elektrike nuk ka patur probleme Aktualisht ka reshje të dobëta shiu. Prefektura mbetet në ndjekje të situatës”, tha Spirollari.

 

Fraksion.com