Masa të reja izolimi në Britani
Kryeministri britanik Boris Johnson urdhëroi të hënën masa të reja izolimi në vend në përpjekje për të ngadalësuar një rritje të rasteve me COVID-19 që kërcënon të mbingarkojë sistemin shëndetësor, para se të vaksinohet një masë kritike e popullsisë.
Kryeministri Johnson tha se një variant i ri, më ngjitës i koronavirusit po përhapet me shpejtësi të madhe dhe ishin të nevojshme veprime urgjente për ta ngadalësuar atë.
“Ndërsa flas me ju sot, spitalet tona janë nën më shumë presion nga COVID se asnjëherë më parë që nga fillimi i pandemisë,” tha zoti Johnson në një fjalim televiziv. Masat e reja janë në kontrast me qasjen e tij të mëparshme rajonale për të luftuar pandeminë.
“Pjesa më të madhe e vendit është tashmë nën masa të skajshme dhe në këto kushte është e qartë se duhet të bëjmë më shumë së bashku për ta vënë nën kontroll këtë variant të ri”, tha ai.
“Prandaj duhet të ndërmarrim një mbyllje në shkallë kombëtare, masat e së cilës të jenë aq të rrepta sa ta frenojnë këtë variant. Kjo do të thotë se qeveria edhe një herë po ju udhëzon të qëndroni në shtëpi”, shtoi kryeministri.
Zoti Johnson tha se masat do të përfshinin mbylljen e shkollave, duke filluar nga e marta dhe rregulla që kërkojnë që shumica e njerëzve të qëndrojnë në shtëpi përveç blerjeve jetike, ushtrimeve fizike dhe përjashtimeve të tjera të kufizuara.
Ai tha se nëse programi i vaksinimit shkonte siç ishte planifikuar dhe numri i infektimeve dhe vdekjeve do të binte në përputhje me masat e bllokimit siç pritej, do të ishte e mundur të fillohej zbutja e masave të izolimit deri në mes të shkurtit.
Fraksion.com